Grafika-Tregtia e Jashtme e Kosovës në muajin gusht 2021, Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Mbi 417 milionë euro, Kosova importoi mallra vetëm për një muaj

Të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 54 për qind në muajin gusht të sivjetmë, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 352.6 milionë eurove, krahasuar me deficitin prej 228.9 milionë eurosh në vitin 2020. Kosova shiti kryesisht metale bazë e produkte të tyre për të blerë ushqime të përgatitura, pije dhe duhan. Në këtë muaj, eksporti arriti të mbuloj importin me 15.6 për qind.

Për një muaj pati mbi 417 milionë euro mallra në Kosovë

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2021 kishte vlerën 64.9 milionë euro, ndërsa importi 417.5 milionë euro, që është një rritje prej 89.4% për eksport, si dhe 58.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.7 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.9 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3 për qind e përbëjnë produktet bimore; 8.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8 për qind e përbëjnë produktet minerale; 3.0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

ASK tregon se çka u importua më shumë e çka më pak

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.7% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj”, tregojnë të dhënat e ASK.

Shkëmbimi i mallrave Kosovë-BE në gushtin e sivjetmë

Eksportet e Kosovës drejtë 27 vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 20.4 milionë euro, ose rreth 31.5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 80.2 për qind.

Partnerët kryesorë të Kosovës për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 6.9 për qind, Italia 6.7 për qind, Spanja 4.8 për qind etj.

Sikurse për eksport njashtu edhe për import, Gjermani mbetet partneri kryesor i Kosovës nga 27 vendet e BE-së

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 177.3 milionë euro, ose 42.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 53.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%), Italia (5.5%), Greqia (3.9%), Sllovenia (3.9%), etj”, bën të ditur ASK.

Rreth 79 milionë euro import nga vendet e CEFTA-s

Në muajin gusht 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 25.3 milionë eurove, ose 39.0 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 72.1 për qind. Me partner kryesorë për eksport: Shqipërinë me 15.2 për qind, Maqedoni e Veriut 10.2 për qind, Serbi 8.9 për qind, dhe Mali i Zi 2.8 për qind.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2021, arritën në 78.7 milionë euro, ose 18.9 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 50.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.8%), Shqipëria (5.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.9%).

Mirëpo import më të madh në raport me vendet e CEFTA-së, Kosova në këtë muaj pati nga vendet tjera të botës. Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 161.4 milionë euro, ose 38.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 12.1 për qind dhe Kina 10.2 për qind.

Eksportet e Kosovë ishin orientuar edhe përtej oqeanit

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19.1 milionë euro, ose 29.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: SHBA (13.9%) dhe Zvicra (6.7%)”.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura nëpërmjet publikimit të statistikave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2021.