Kriptovaluta, Foto: Dogana e Kosovës/Facebook

Mbi 20 milionë euro vlera e pajisjeve të importuara për prodhimin e kryptovalutave

Një vendim i Ministrisë së Ekonomisë në fillim të këtij viti ndaloi prodhimin e përkohshëm të kriptovalutave në Kosovë.

Por, prodhimi i tyre në vendin tonë ka nis qysh para 7 viteve.

Vlera e importit të pajisjeve që prodhojnë monedha digjitale që nga viti 2015 kap vlerën e 22 milionë eurove. Kështu ka thënë, Driton Azemi nga Dogana e Kosovës.

“Prodhimi i kriptovalutave në Kosovë ka nisur qysh herët, që prej vitit 2015 ne kemi pasur rastet e importit për prodhimin e Bitcoin-ëve”, tha ai në KallxoPernime.

“Sipas një analize që e kam bërë, nga viti 2015 deri më sot janë importuar diku rreth 4 milionë euro pajisje për prodhimin e Bitcoin-ëve, ndërsa kartela grafike të cilat përdoren për prodhimin e kriptovalutave, vlera e tyre është 18 milionë euro”, ka deklaruar Azemi.

Prej kur ministria e Ekonomisë ndaloi prodhimin e kriptovalutave, Dogana e Kosovës së bashku me forcat e rendit sekuestruan një numër të konsiderueshëm të makinave që prodhojnë kriptovaluta.

Vetëm në një aksion në Leposaviq u sekuestruan 272 makina që prodhojnë monezha digjitale.