Mbi 2 mijë qytetarë u vaksinuan brenda 24 orëve

Dy mijë e 892 doza të vaksinave kundër COVID-19 janë dhënë brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar më 29 mars të këtij viti dhe deri më tani janë administruar mbi 1.6 milion doza të vaksinave kundër SARS-CoV-2.

“Deri më sot 773,633 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë apo 47 për qind e qytetarëve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë një qytetar konsiderohet i vaksinuar pasi merr dy doza të vaksinave kundër SARS-CoV-2, ndërsa ka pak ditë që qytetarëve po u jepet edhe vaksina e tretë imunizuese.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Aktualisht janë 314 raste aktive me SARS-CoV-2. Prishtina është komuna me më së shumti raste aktive me 70 sosh.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar si të infektuar 161 mijë e 216 qytetarë prej tyre 2 mijë e 988 kanë vdekur përderisa 157 mijë e 914 janë shëruar.