Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek

Mbi 181 milionë euro me tenderë, kontratat KEK-ut i nënshtrohen ‘rëntgenit’ të Auditorit

Prodhuesi i rrymës në vend, KEK-u, shoqëri aksionare, pronare e së cilës është shteti, ka filluar të auditohet. Kontratat e lidhura nëpërmjet tenderëve shuma e të cilave kalon 181 milionë euro nga viti 2018 deri në vitin 2020, janë objektiv i auditimit.

Nëpërmjet njoftimit për media, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka bërë të ditur se ka filluar auditimin e performancës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me temën “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”.

Sipas njoftimit, tenderët janë fokusit kryesor, pasi nëpërmjet tyre u lidhën kontrata shuma e të cilave kalon 18i milionë euro.

“Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit, përmes së cilave janë shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. Në fakt, KEK-u është organizata me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik në Kosovë. Përmes tenderëve publik, gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë euro”, thuhet në njoftim.

ZKA thotë se aktivitetet e prokurimit në KEK, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar.

ZKA tregon  përse duhet audituar KEK-u

“Duke qenë shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, aktivitetet e KEK-ut janë interes publik prandaj Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur t’i bëhet një vlerësim i përgjithshëm i performancës së KEK-ut nga aspekti i prokurimit”, bën të ditur auditori.

Sipas auditorit, objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse gjatë viteve 2018-2020, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Më tej thuhet se fushëveprimi i auditimit të performancës përfshinë kontratat e prokurimit të lidhura gjatë viteve 2018-2020 me fokus të veçantë në kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, vlera e të cilave arrin afër 33 milionë euro, që përfaqëson 18 për qind të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u në këtë periudhë.

Pjesa më e madhe e kontratave që u lidhën me tenderë të hapur, janë kontrata për furnizim

“Nga këto, kemi përzgjedhur gjithsej 108 kontrata në vlerë 7.75 milionë euro për t’i audituar. Edhe kontratat e lidhura me procedurë të hapur janë pjesë e fushëveprimit nga të cilat 55 milionë euro (39 kontrata) do të auditohen. Nga to gjashtë janë kontrata për punë, 33 kontrata të tjera janë kontrata për furnizim”, njofton auditori.

Auditimi synon t’i trajtojë çështjet në vijim: Identifikimin e nevojave dhe planifikimin e prokurimit, hartimin e specifikimit teknik, parashtrimin e kërkesave të përshtatshmërisë profesionale dhe teknike, menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin që KEK-u i ka bërë proceseve të prokurimit.

Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase.