Mbahet sesioni shkencor në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në 15-vejtorin e Pavarësisë së Kosovës është mbajtur sot në Prishtinës sesioni shkencor, “Kosova 15 vjet pavarësi- sfidat dhe shtetndërtimi”.

Ky sesion ka bërë bashkë studiues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, të cilët prezantuan kumtesa përmes së cilave synohet trajtimi i shtetndërtimit, rrugës dhe sfidave në 15 -vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

Hapja e sesionit është përcjell me fjalime rasti nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e të drejtuesve të institucioneve shkencore albanologjike, të cilët folën edhe për sfidat dhe problemet aktualet politike në vend.

Ministrja Arbërie Nagavci, në fjalën e saj theksoi se ky sesion është një rast për të pasqyruar progresin e Kosovës. Ajo ka përmendur edhe sfidat që po përballet qeveria përball presioneve dhe kërkesave ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ne duhet të jemi të palëkundur në mbrojtjen e së drejtës sonë edhe sa i përket zhvillimeve të fundit ku po kërkohet nga ne, mandej edhe gjymtimi pavarësisë dhe kushtetutshmërisë sonë”- tha ministrja Nagavci, gjatë falës së saj.

Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë (IAP), gjatë fjalës së tij përmendi sfidat e shtetndërtimit të Kosovës, veçmas gjatë administrimit ndërkombëtar të Kosovës. Ai përmendi edhe një kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, para pavarësisë, kur ishe kërkuar shuarja e IAP-së, me arsyetimin se Kosova nuk bën të ketë institucione njëetnike.

“Një pengesë e madhe në drejtim të shtetndërtimit u shfaq edhe për shkak të përplasjes së interesave gjeostrategjike në Ballkan, sidomos në vitin e fundit si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, ndërmjet aleatëve euroatlantik të Kosovës dhe aleatëve tradicional të Serbisë, ku këta të fundit nuk pajtohen lehtë me humbjen e një zone të rëndësishme të ndikimit të tyre në Evropë”- tha Matoshi.

Teuat Shala- Peli, ushtruese e detyrës së drejtorit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë deklaroi se synimi i këtij sesioni është trajtimi i periudhave ndryshme që sollën Pavarësinë e Kosovës.

“Sot është momenti t’i kujtojmë të gjithë  ata që në kohë dhe rrethana të ndryshme u flijuan për Pavarësinë e Kosovës edhe sot i bartin pasojat e luftës, veçmas, atyre që edhe sot 15 vjet pas Pavarësisë dhe 24 vjet pas çlirimit po mbahen, gjykohen padrejtësisht nga Gjykata e Hagës”- tha ajo.

Skender Asani, drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe kulturore të Shqiptarëve në Shkup, tha se shteti i Kosovës është projekt shekullor që erdhi natyrshëm pas gjymtimit të aspiratave shekullore të shqiptarëve, pas 1912.

“Të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi Kosovën e konsideronin piemont të intelektualizmit dhe të shqiptarizmit”- tha ai.

Sesioni “Kosova 15 vjet pavarësi- sfidat dhe shtetndërtimi” u organizua nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Instituti i Historisë – Tiranë,  Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Departamenti i Historisë në UP “Hasan Prishtina”.