Kush 'guxon' ta bëj një film për Adem Jasharin?

Deri më sot asnjë prej filmbërësve apo produksioneve kosovare nuk ka marrë ‘guximin’ për të realizuar një film artistik për komandantin legjendar Adem Jashari.

Në fillim të marsit mbushen 24 vjet nga lufta e familjes Jashari kundër forcave ushtarake e policore serbe në Prekaz të Skenderajt. E rrethuar në shtëpitë e tyre dhe e prirë nga Ademi, familja Jashari, për tri ditë 4,5 dhe 6 mars 1998, u rezistoi bombardimeve të ushtrisë serbe.

Një rast ky unik në botë, kur një familje e tërë; fëmijë, pleq, gra e burra shuhet për kauzën kombëtare.

Por, pavarësisht kontributit dhe rëndësisë, ende nuk është bërë një film për Adem Jasharin.

Filmbërësit kosovarë; regjisorët, skenaristët, kritikët e historianët japin mendime të ndryshme për mosbërjen e një filmi për heroin nga Prekazi. Sipas tyre, çështjet financiare dhe figura komplekse e heroit kanë bërë që të mungojnë përpjekjet për realizimin e një filmi të tillë.

Tendencat për filmin 

Luan Kryeziu, skenarist e regjisor, ka kohë që ka nisur punën për realizimin e një filmi për Adem Jasharin. Kryeziu në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se realizimi i një filmi për figurën e heroit kërkon kohë e financa për tu realizuar.

“Ne kemi intervistuar thuajse të gjithë bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e tyre, kemi marrë historinë familjare (Jashari) që nga stërgjyshërit e tyre dhe informacionet e tjera të nevojshme që filmi të jetë sa më real dhe në interesin tonë kombëtar e artistik. Gjithsesi sa na përket neve jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve dhe sapo të ofrohen kushtet e nevojshme, ne jemi gati të fillojmë edhe me audicionet deri te xhirimet”, ka thënë ai, duke mos dhënë më shumë informata për këtë projekt.

Kryeziu thotë se përveç mungesës së një filmi, kishte tendenca të minohet çdo iniciativë për realizimin e filmave me përmbajtje të tillë.

Regjisori Ben Apolloni, jep disa nga arsyet për mungesën e një filmi për Adem Jasharin.

“Ndër to janë: se nuk është shkruar një skenar i denjë, se nuk ka asnjë roman që do të inspironte kineastët kanë hezituar edhe për shkak se një figurë e tillë kërkon shumë seriozitet në trajtimin e saj, kurse buxheti që ndahet për film në Kosovë, është qesharak”, ka thënë Apolloni për KALLXO.com.

Si duhet të realizohet filmi?

Historiani Skënder Lutfiu, ka thënë për KALLXO.com se institucionet duhet të mbështesin realizimin një filmi për Adem Jasharin me përmasa hollivudiane.

“Mendoj që dy nga arsyet qenësore të mosrealizimit të një filmi të tillë janë: 1. Mungesa e financave të mjaftueshme për të bërë një film të përmasave hollivudiane; dhe 2. Përgjegjësia e madhe për prezantimin e figurës së tij dhe e heroizmit të familjes Jashari, që për nga forma dhe qëllimi i rezistencës, ka tejkaluar kufijtë e rajonit”, ka thënë Lutfiu.

Ndërkaq, Ilir Muharremi, kritik filmi, ka pohuar për KALLXO.com se për një film të tillë duhet një skenar i mirëfilltë duke u bazuar në fakte reale.

“Duhet të bëhet një hulumtim i saktë shkencor, pastaj të ngritet niveli artistik, deri te realizimi i filmit”, ka thënë Muharremi.