Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Historianët: Demonstratat e 1981-ës dhanë shkëndijat e para të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë

Demonstratat e vitit 1981 ndërkombëtarizuan problemin e Kosovës për shkak të impaktit që patën. Ato dhanë edhe shkëndijat e para të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Historianët kosovarë kanë thënë për Kallxo.com se në këtë 40-vjetor të shpërthimit të demonstratave të 1981-ës, historiografia shqiptare duhet të hedhë edhe me tej dritë në ndriçimin e këtyre demonstratave.

Shkodran Imeraj, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë ka thënë për Kallxo.com se demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, përbëjnë elemente shumë dimensionale, pasi karakteri i kërkesave të tyre ishte politik, meqë Kosova kishte mbetur shumë prapa në zhvillimin ekonomik e politik në raport me ish-republikat tjera të ish-federatës.

Imeraj shton se ende ka segmente të pa hulumtuar dhe trajtuar për ato demonstratat.

“Pra, Demonstratat e vitit 1981, janë të rëndësishme nga fakti se ato ishin një impuls shtesë dhe tepër shtytës për lëvizjen e shqiptarëve për liri, çlirimin dhe pavarësi nga pushtimi dhe pushteti serbo-jugosllavë”, ka thënë historiani Imeraj.

Ndërkaq, Kosovar Basha, hulumtues i pavarur në Institutin e Historisë është shprehur për Kallxo.com se synimi kryesor i demonstratave ishte avancimi i Kosovës si njësi e barabartë në ish- federatën jugosllave.

“Mund të thuhet që jehona ishte aq e madhe sa në shtypin botëror pasqyrimi i demonstratave zuri një vend me peshë. Ngjarjet e mëvonshme treguan që shkëndijat e shkatërrimit të Jugosllavisë i gjejmë më të thelluara në Kosovë me anë të këtyre demonstratave të fuqishme që tronditën politikën jugosllave”, ka thënë Basha.

Historiani Nuridin Ahmeti thotë se ato demonstrata u përcollën me shumë vëmendje nga shtypi i huaj, sidomos ai fqinj.

“Në mesin e shumë medieve botërore që u interesuan për këto ngjarje, ishin edhe mediat nga Turqia. Shumica e artikujve që botoheshin në Shqipëri për këto ngjarje, te gazeta ‘Zëri i popullit’, përktheheshin në gjuhën turke dhe botoheshin atje”, ka thënë Ahmeti.

Demonstratat e marsit të 1981 filluan si një protestë spontane e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 4 mars 1981, për kushte më të mira në mensën e studentëve në Prishtinë.

Ndërhyrjet e policisë për të shuar protestën e studentëve shkaktoi më pas demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars 1981.