Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MASHTI propozon pagesë avans për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.

Sipas propozimit të ri, mësimdhënësit do të paguhen për orët që i zëvendësojnë, kurse pagesa është propozuar të bëhet avans.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e përkushtuar për zbatimin e Ligjit për Grevën, i cili përveç tjerash parasheh edhe pezullimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata e punës, përfshi edhe të drejtën e  pagës për ditët e grevës. Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë  vendimin e ri  për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë  punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që  të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor” – thuhet në njoftimin e ministres Nagavci të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas vendimit të ri të kalendarit të vitit shkollor 2022/2023, gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet shkollore parauniversitare përfundon me datën 27.01.2023. Gjysmëvjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023.

Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se orët e humbura gjatë grevës nuk do të zëvendësohen.

“Sa i takon orëve të humbura në grevë nuk do të mbahen. Unë uroj që MASHT nuk do të del me ndonjë deklaratë kërcenuese. Nëse ata qasen mirë dhe kemi vullnet të mësimdhënesit sic i kemi pyetur do ti pyesim prapë dhe do të shikojmë cfarë do bëjmë”, ka thënë Jasharaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Sot, Institucioni i Avokatit të Popullit ka deklaruar se mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre.

Avokati i Popullit përmes një deklarate për media i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.