Avokati i Popullit

Avokati i Popullit i bën thirrje Qeverisë që t'i ekzekutojë pagat e mësimdhënësve grevistë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka deklaruar se mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo nuk do t’i kontribuojë dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar.

Si rrjedhojë, Avokati i Popullit përmes një deklarate për media i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

“Gjithashtu Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për sigurimin e paqes sociale në vend si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë. Në këtë periudhë është e rëndësishme që qeveria, me secilin veprim dhe masë që merr, të kontribuojë në zbutjen e krizës së rëndë të krijuar si rezultat i kësaj gjendjeje” – thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se komunat, të cilat janë përgjegjëse për organizim të arsimit parauniversitar, nuk kanë raportuar në Ministrinë e Financave.

Nagavci tha se komunat e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë”- ka thënë Nagavci.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu tha se për shtatorin pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – ka thënë Kryeziu.

Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.