Ilustrim - Parku i Biznesit në Drenas. Foto: Kallxo.com

Masat e reja të Qeverisë për përkrahjen e prodhuesve vendor, reagojnë Odat Ekonomike

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afarizmit, kanë mirëpritur ndërmarrjen e masës 2.1 – Subvencionimi i Kredive Investive – dhe masës 2.4 – Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, nga qeveria e Kosovës.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve Kosovar, tha se kjo masë e marrë nga qeveria ndihmon bizneset dhe ekonominë e vendit.

“Është një mundësi e artë për neve në këtë fazë, e unë besoj që këto masa do të largojnë një hezitim te prodhuesit të ndërmarrin investime të reja gjatë kësaj faze, sepse rritja e kërkesës për produktet e Kosovës, kemi një frikë se mund të jetë momentale, sepse me normalizimin e tregtisë ndërkombëtare prapë do të ketë kërkesë nga produktet aziatike”, tha ai.

Sipas tij, kjo masë i jep një garancion prodhuesve që edhe qeveria po e merr një bazë të rrezikut në këtë investim.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, tha që ndërmarrja e këtyre masave ka qenë rekomandim edhe i Odës Ekonomike Amerikane.

“Jam i lumtur të them që eksporti drejtë SHBA-së ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në tri vitet e fundit. Këto masa të cilat po propozohen sot me objektiva të qarta që është po ashtu rekomandim i Odës Amerikane do të ndikojnë edhe më tej në rritjen e eksportit, jo vetëm drejtë ShBA-së, por edhe vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Zeka.

Skender Krasniqi, kryetar i bordit në Odën e Afarizmit të Kosovës, mirëpriti masat e marra nga qeveria, por pati edhe një kërkesë tjetër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Në kuadër të masave që ne kemi kërkuar, në kontinuitet që i kemi dërguar qeverisë, ka qenë edhe krijimi i një arke që e kemi quajtur ne ‘patriat’ që të subvencionohen prodhimet vendore në dalje në markete, këtë e kanë bërë vendet e tjera, me këtë e kanë nxitur rritjen e prodhimit vendor, por edhe konsumin e prodhimit vendor. Çdo produkt për të cilat ka nevojë, prodhohet në Kosovë dhe mund të eksportohet jashtë vendit, të subvencionohet 10 përqind në dalje”, tha ai.

Muela Ibrahimi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha që kjo masë është vendim i qëlluar në kohë të qëlluar.

“Këto masa janë shumë të qëlluara, sidomos në këtë kohë kur kemi një trend të rritjes në eksportin tonë, e dimë që në vitin 2020 kemi pasur rritje në krahasim me vitin 2019. Këto masa do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, në rritjen e kapaciteteve dhe gjithashtu në rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet globale” , tha ajo.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në konferencë për media ka prezantuar disa masa që do të ndërmarrë ekzekutivi në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike. Sipas Muratit qëllimi i këtyre masave është inicimi i një “lokomotive prodhuese”.  Murati foli edhe për subvencionimin e shumës së kredisë për prodhuesit vendor.

“Nga pako 2.1 prodhuesit vendor do të mbështeten me 20% të shumës se kredisë, e që maksimumi i lejuar për subvencionim është në shumën 400 mijë euro. Kjo do të bëhet duke filluar nga ky muaj, nga data 1 tetor e tutje, për të gjitha kreditë që i plotësojnë kushtet. Në njërën anë kemi rritjen e kapaciteteve prodhuese e në anën tjetër rritjen e punësimit të qëndrueshëm”, tha Murati.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot kanë mbajtur konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive – dhe masës 2.4 – Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Murati, tregon disa nga masat subvencionuese për prodhuesit vendor