Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti paralajmëron vendim për masa të reja deri të premten

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar sot përfaqësues të odave ekonomike në vend.

Ai tha se këtë takim e ka bërë para se të marrin vendim në Qeveri për masa të reja për shkak të situatës me pandeminë.

“Sot u takuam që të marrim impute prej odave ekonomike dhe u dakorduam së bashku që para se të marrim vendimin në Qeveri për masa të reja të kemi edhe një konsultim tjetër përfundimtar. Pas këtij takimi do të flasim me profesionistët shëndetësorë”, theksoi Hoti.

Kur u pyet se kur pritet të merren masat e reja, Hoti theksoi se shpresojnë që deri të premten do ta përmbyllin diskutimin.

“Ka nja 3-4 ditë që jemi duke i diskutuar. Sot e bëmë edhe këtë konsultim, shpresojmë që deri të premten do të përmbyllim krejt këtë diskutim. [Për diasporën] jemi duke i diskutuar”, tha ai.

Kryeministri foli edhe për brengat kryesore që i kanë biznesett aktualisht.

“Brenga kryesore e shumicës është që në periudha afatshkurtëra të rishikohet koha, orari i mbylljes së bizneseve dhe komplet i ekonomisë dhe disa elemente specifike që kanë të bëjnë me fast food delivery dhe funksioninim e disa sektorëve të veçantë”, tha ai.

Hoti shtoi se masat që janë në fuqi kanë prodhuar rezultat të kënaqshëm, pasi ka pasur rënie të lehtë të rasteve me COVID-19.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se në këtë takim janë pajtuar të konsultohen për secilën masë të re.

“Në të njëjtën kohë u pajtuam që duhet të etë gjitha përpjekjet që të shmnaget çdo mbyllje totale e ekonomisë, e cila do të ishtë fatale për vetë ekonominë”, shtoi ai në konferencë për media.