Shpërblimet e bizneseve | Foto: ZKM

Shpërblehen Tatimpaguesit e Mëdhenj dhe të Rregullt

Ky vit shënon përvjetorin e 11-të të kësaj ngjarjeje tradicionale.

U shpërblyen kompanitë Cacttus Sha, Coca Cola Hellenik Bottling Company-Kosovo, Kid Zone Sh.P.K, Ndërmarrja Tregtare Fortesa, Scan Kolor-Jysk Sh.P.K , në kategorinë e qarkullimit mbi pesë milionë euro, si dhe kompani tjera në kategori me qarkullim më të vogël.

Këtë vit është shtuar edhe një kategori e re për shpërblimin e tri bizneseve të reja apo kompanive “start up”, të themeluara gjatë 2015-ës.

Kryeministri Isa Mustafa, i pranishëm në ceremoni, tha se ndihet i kënaqur që bizneset po bëjnë punën e tyre dhe po arrijnë suksese të mëdha.

“ Është kënaqësi e veçantë përkundër temave të rënda politike, bizneset po e bëjnë punën e tyre, po arrijnë suksese të mëdha,” tha Mustafa.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se përfomanca e jashtëzakonshme e Doganës dhe ATK-së është në të njëjtën kohë edhe sukses i bizneseve.

“Çdo muaj ne kemi një performancë të jashtëzakonshme me Doganën dhe Administratën Tatimore dhe ajo është një fakt dhe sukses juaji që e bëni me bizneset e juaja. Suksesi juaj po reflektohet në suksesin e qeverisë,” tha ministri Hoti

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri tha se institucioni që drejton tatimpaguesve të mëdhenj dhe të rregullt shërbime të veçanta.

“Një e veçantë që pritet për këtë kategori të tatimpaguesve, është ofrimi I shërbimeve të veçanta për tatimpaguesit e mëdhenj, përkatësisht për tatimpaguesit që janë të rregullt, nuk kanë historik të ndëshkimeve dhe të delikuencës, duke i drejtuar resurset humane kryesisht te tatimpaguesit që kanë probleme me zbatimin e ligjit,” tha Imeri.

I pari i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna falënderoi bizneset për bashkëpunimin dhe transparencën e ndërtuar që ndikoi në rritjen e të hyrave dhe uljen e ankesave në këtë institucion.

“ Më lejoni që në prezencë të Kryeministrit t’ju falënderoj prej zemrës, për komunikimin, transparencën, që e kemi ndërtuar së bashku për këto tre vjet. Falë këtij komunikimi dhe kësaj transparence, ne i kemi rritur të hyrat dhe në të njëjtën kohë i kemi zvogëluar ankesat për 30  për qind,” tha Rafuna.

Komisioni vlerësues që përcaktoi fituesit kishte në përbërje përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane, Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës.