
Foto: Pixabay
Maqedonia e Veriut gjen bakter në një mostër uji nga Kosova
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut tha se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji nga shteti fqinj – raporton Shërbimi maqedonas i Radio Evropa e Lirë.
Disa media në këtë vend publikuan edhe vendimin e Agjencisë, sipas së cilit bëhet fjalë për mostra të ujit Rugove.
REL-i në Prishtinë kontaktoi pronarin e kësaj Kompanie, Visar Kelmendin, i cili tha se shitjet në Maqedoninë e Veriut janë duke vazhduar.
“Ka qenë një problem qe dy-tri javë, me një provë të analizës… Pastaj janë marrë edhe dhjetë analiza të tjera të ujit në Maqedoni të Veriut, në Kosovë, e në një shtet të tretë dhe është konfirmuar se nuk ka asgjë.” – tha Kelmendi.
REL-i kontaktoi edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë në lidhje me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.
Çka është bakteri koliform?
Bakteri koliform është organizëm i pranishëm në mjedis dhe në jashtëqitjet e të gjitha kafshëve me gjak të ngrohtë, si dhe njerëzve.
Bakteri koliform nuk mund të shkaktojë sëmundje.
Megjithatë, prania e tij në ujë të pijshëm tregon se organizmat të cilët shkaktojnë sëmundje (patogjenët), mund të jenë në sistemin e ujit – thuhet në përshkrimin që bën Departamenti i Shëndetësisë i Shtetit të Uashingtonit.
Sipas tij, nëse bakteri koliform gjendet në një mostër uji, Operatorët e sistemit të ujit punojnë për të gjetur burimin e ndotjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Shkup tha se “nga secila dërgesë e ujit burimor dhe pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova do të merren mostra laboratorike për testimin e mikroorganizmave – në përputhje me Rregulloren për kërkesat specifike, që kanë të bëjnë me kriteret mikrobiologjike për ushqim”.
Paralelisht, kjo Agjenci tha se Maqedonia e Veriut ka intensifikuar kontrollet edhe për frutat dhe perimet e importuara nga të gjitha vendet – për të monitoruar mbetjet e pesticideve.
Ajo tha se produktet nuk do të lejohen në treg, pa i pasur rezultatet që e konfirmojnë sigurinë e tyre./REL