Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV refuzon kërkesën e LDK-së për debat parlamentar për dialogun

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se e refuzojnë kërkesën e LDK-së për mbajtjen e debatit parlamentar në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi.

Kusari-Lila tha se Gashi të hënën nuk ka qenë prezent në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe se e ka pyetur kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së nëse dëshirojnë të kenë debat të enjten.

“Ia rikujtoj z.Gashi që të hënën në mbledhjen e Kryesisë nuk ka qenë prezent. I kam ofruar shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirit e kam pyet a dëshironi të keni debat ditën e enjte sipas kërkesës suaj një javë më parë. Konfirmimin për prezencë të kryeministrit dhe për debat e kam pasur, do të thotë sot keni pasur mundësi që të kemi seancë sipas propozimit tuaj që të jenë dy pika; debati parlamentar për dialogun dhe shqyrtimi në lexim të parë dhe të dytë për projekt buxhetin që është i paraparë për ditën e sotme”- deklaroi Kusari- Lila.

Ajo shtoi se sipas përgjigjes së deputetit Tahiri, dy grupet më të mëdha opozitare nuk kanë arritur që të dakordohen për këtë debat.

“Sipas përgjigjes së Tahirit, dy grupet më të mëdha nuk kanë arritur të dakordohen për këtë debat andaj rrjedhimisht refuzon këtë mocion, nuk e mbështetë për arsye se ekziston procedurë shumë e thjeshtë për kërkimin e një pike të rendit të ditës. Qëndrojmë prapa miratimit të cfarëdo dite apo datë tjetër për këtë debat, por sot e keni pasur mundësinë që ta trajtoni si pië të rregullt, nuk keni qenë të përgatitur”- theksoi ajo.

Deputeti Enver Hoxhaj nga PDK ka thënë se sot nuk ka kushte për debat të mirëfilltë dhe se duhet të përgatiten.

Ai shtoi se në debat kryeministri duhet ta sjellë një platformë se çfarë dëshiron të arrijë në dialog.

Kurse, kryeministri i vendit, Albin Kurti i është përgjigjur kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për raportim në Kuvendin e Kosovës për çështjen e dialogut.

Kurti tha se është i hapur për të diskutuar për këto çështje por, sipas tij janë dy mënyra për ta bërë këtë.“Unë jam shumë i hapur për t’i diskutuar këto gjëra, por duhet të kuptoni që janë dy mënyra për këtë gjë; Ose takim me liderët e partive për hollësitë ose raportim në Kuvendin e Kosovës me dyer të mbyllura e me kërkesë të opozitës”- deklaroi Kurti.