LVV pezullon nga anëtarësia asamblistin që u arrestua për keqpërdorime me subvencione

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim që të pezullojë nga anëtarësia asamblistin e saj në Kuvendin Komunal të Suharekës, Liridon Fandaj, i arrestuar dje për keqpërdorime me subvencione.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar nga zyra për media e LVV-së.

“Komisioni Disiplinor i Vetëvendosjes ka marrë vendim për pezullim të anëtarësisë deri në verditikin e gjykatës për rastin”, thanë nga zyra për media e LVV-së.

Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Prishtinës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj Fandajt.

Arrest shtëpiak është caktuar edhe për tetë të dyshuarit e tjerë, ndërsa për Arton Elezin, zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë dhe Bekim Bruçin, zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së djeshme se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira, i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.

Vetëvendosje pritet ta pezullojë asamblistin që u arrestua për keqpërdorime me subvencione