Porosia e ish-kryeprokurorit Dërguti për biznesmenin: Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz e jep pare!

Biznesmeni Sali Dakaj po pretendon se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.

Për emisionin “Kallxo Përnime”, Dakaj ka rrëfyer se si dy persona, biznesmeni Hasan Morina dhe zyrtari i Vetëvendosjes (tashmë i pezulluar nga anëtarësia e partisë), Liridon Fandaj, e kishin takuar dhe i kishin thënë se e kanë njeriun e tyre që mund ta kthejë lëndën në favorin e tij porse për këtë duhej t’i jepeshin 150 mijë euro.

Dakaj ka treguar se u kishte besuar dhe kishte marrë paratë borxh për t’ia dhënë Haxhi Dërgutit, atëherë kryeprokuror i Apelit.

Meqë lënda nuk kishte përfunduar në favor të tij, Dakaj kishte filluar të kërkonte paratë që i kishte dhënë.

Për këtë ai kishte takuar Hasan Morinën dhe Liridon Fandajn, e mandej edhe vetë ish-kryeprokurorin Dërguti.

Ky i fundit, sipas një video-incizimi, e këshillon Dakajn që t’i rrijë gati lëndës në gjyq, të gjejë njerëz e të japë para, përndryshe lënda nuk kryhet në favor të tij.

“Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare, se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet” – kishte porositur Haxhi Dërguti biznesmenin Sali Dakaj.

Në një takim tjetër, të cilin Dakaj po ashtu e ka incizuar me kamerë, Dërguti mohon se ai i ka marrë paratë, por nuk e mohon se është takuar me gjyqtarë në lidhje me lëndën e Sali Dakajt.

Dosja e korrupsionit në drejtësi është transmetuar mbrëmë dhe sonte në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka premtuar sonte se Prokuroria do të veprojë pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime”, i cili zbardhi një afërë të madhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Kosovë.