Dosja e sekserëve që blinin ndikimin e kryeprokurorit të Apelit

Një hulumtim dyvjeçar i emisionit “Kallxo Përnime” ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Mbi 2 orë audio dhe video-incizime nga takimet tregojnë se si njerëzit e politikës dhe ata të drejtësisë bëhen bashkë për të ndikuar në vendimet e gjyqtarëve.

Gjatë këtyre takimeve Haxhi Dërguti, ish-kryeprokurori i Apelit, premton se do t’i takojë e të flasë me gjyqtarët që vendimet e tyre të jenë në favor të biznesmenit Sali Dakaj.

I pyetur nga emisioni “Kallxo Përnime”, Haxhi Derguti ka pranuar se ka takuar një nga gjyqtarët e përmendur në incizimet e bëra në muhabetet mes tij dhe biznesmenit Sali Dakaj. Në anën tjetër gjyqtarët kanë mohuar të jenë takuar me Haxhi Dërgutin për të diskuar për lëndët.

Sali Dakaj ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” se i janë kërkuar 300 mijë euro që lënda e një përmbarimi të një borxhi të kthehet në favorin e tij.

Ai ka treguar se i ka marrë 150 mijë euro borxh për t’ia dhënë biznesmenit Hasan Morina.

Takimi me Hasan Morinën ishte ndërmjetësuar nga Liridon Fandaj, ish-shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.

Ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, i kontaktuar nga “Kallxo Përnime” ka mohuar të ketë marrë para por nuk e ka mohuar se ka takuar dhe i ka thënë që ta ketë parasysh për ta shpejtuar lëndën e Dakajt.

Dërguti gjithashtu ka mohuar edhe faktet që dëgjohen duke i thëna Sali Dakajt në video-incizimet.

“Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet”.

Kjo fjali dhe shumë premtime të tjera janë dëgjuar duke i thënë ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, biznesmenit Sali Dakajt.