Dosja e Prokurorisë – Asamblisti i LVV-së pretendohet se ndihmoi të dyshuarin për të përfituar mbi 67 mijë euro

I.K. është njëri nga 12 personat që u arrestuan në aksionin e së mërkurës nga Policisë së Kosovës, për dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se i pandehuri I.K. dyshohet se me ndihmën e Liridon Fandaj, asamblistit në komunën e Suharekës, i cili tashmë është i pezulluar nga Lëvizja Vetëvendosje, në mënyrë të kundërligjshme kishte përfituar të drejtën që të përfitonte gjithsej 192 mijë e 480 euro subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Mirëpo, I.K. kishte arritur që të përfitoj vetëm 67 mijë e 368 euro pasi pjesa e tjetër e parave ishte pezulluar për pagesë shkak të fillimit të hetimeve.

Madje, edhe këto para ishin marr për perime të cilat as edhe nuk ishin mbjellë.

Tutje në këtë dokument thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se me ndihmën e Fandaj, I.K. në mënyrë të kundërligjshme, përmes mashtrimit duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pasakta ka përfituar subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Fandaj dyshohet se ka siguruar nga S.S. certifikatën për bimë organike të lëshuar nga një laborator në mënyrë të kundërligjshme pa asnjë kontroll.

Kjo certifikatë, në dosje thuhet se është paguar në një shumë prej 4 mijë e 343 euro e 50 cent.

Pas kësaj, i pandehuri I.K., certifikatën e blerë e paraqet në AZHB, duke thënë se kinse ka të mbjella dhe të certifikuara me kunguj sipërfaqen prej 62.05 hektar.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com tregon se gjatë kontrolli të inspektorëve të AZHB-së në teren, me datën 11 tetor 2021, është vërejtur se i pandehuri I.K. ka paraqitur sipërfaqe prej 26.78 hektar me shumë se sa i ka pasur në realitet.

Po ashtu, inspektorët gjatë kontrollit të tyre nuk kanë hasur fare në gjurmë të kungujve.

Në dokumente tutje tregohet se I.K. dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim me subvencione”.

Ndaj I.K. sot, nga Gjykata Themelore në Prishtinë është caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Policia e Kosovës kishte njoftuar të mërkurën se ka arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur të enjten.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar të enjten se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i pezulluar nga anëtarësia i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.

Arrest shtëpiak për asamblistin e LVV-së, i arrestuar për keqpërdorim me subvencione