Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Si u përfshi në korrupsion njeriu i Vetëvendosjes?

Liridon Fandaj, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Suharekës, është njëri nga 12 të arrestuarit gjatë aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës për keqpërdorime të subvencioneve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, ai dyshohet se e ka ndihmuar të pandehurin tjetër, I.K., që të përfitojë subvencione në vlerë 67 mijë e 368 euro për perime, të cilat nuk kanë qenë të mbjella fare.

Në këtë dokument thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Fandaj ka ndihmuar I.K. që në mënyrë të kundërligjshme, përmes mashtrimit duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pasakta, të përfitojë subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Fandaj dyshohet se ka siguruar nga S.S. certifikatën për bimë organike të lëshuar nga një laborator në mënyrë të kundërligjshme pa asnjë kontroll.

Në dosje thuhet se kjo certifikatë është paguar 4 mijë e 343 euro e 50 centë.

Pas kësaj, i pandehuri I.K., certifikatën e blerë e paraqet në AZHB, duke thënë se kinse ka të mbjella dhe të certifikuara me kunguj sipërfaqen prej 62.05 hektarë.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com tregon se gjatë kontrollit të inspektorëve të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë (AZHB) në terren më 11 tetor 2021, është vërejtur se i pandehuri I.K. ka paraqitur sipërfaqe prej 26.78 hektarë me shumë sesa i ka pasur në realitet.

Po ashtu, inspektorët gjatë kontrollit të tyre nuk kanë hasur fare në gjurmë të kungujve.

Në dokument tutje tregohet se Fandaj dyshohet se ka kryer veprat penale – dhënia e ryshfetit në sektorin privat, dhe -ndihmë në kryerjen e veprës penale të mashtrimit me subvencione.

Gjykata e Prishtinës sot ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Fandajt.

Ndërsa, në orët e pasdites, Lëvizja Vetëvendosje ka pezulluar nga anëtarësia “deri në verdiktin e gjykatës” Liridon Fandajn.

“Komisioni Disiplinor i Vetëvendosjes ka marr vendim për pezullim të anëtarësisë deri në verditikin për rastin”, është thënë nga zyra për media e LVV-së.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së djeshme se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist, tashmë i pezulluar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.

Arrest shtëpiak për asamblistin e LVV-së, i arrestuar për keqpërdorim me subvencione