Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme për ligjin e pagave dhe atë për zyrtarët publikë

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar të mbahet seancë e jashtëzakonshme për të miratuar Projektligjin për pagat në sektorin publik si dhe projektligjin për zyrtarët publikë.

Në kërkesën e dorëzuar në Kryesi të Kuvendit, të siguruar nga KALLXO.com, partia në pushtet kërkon që të shmangen afatet procedurale të përcaktuara nga rregullorja e Kuvendit në mënyrë që të caktohen afatet për shqyrtim të dytë të tyre.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se nuk do ta përkrahin kërkesën e partisë në pushtet.

“Jo nuk e përkrahim, sepse shkelet procedura dhe kemi vërejtje në përmbajte”- ka thënë shkurt ai për KALLXO.com.

Shefat e grupeve parlamentare të AAK-së Besnik Tahiri dhe ai i PDK-së, Abelard Tahiri nuk kanë dhënë përgjigje nëse do ta përkrahin këtë kërkesë.

Në seancën e 9 dhjetorit kur janë miratuar në parim këto projektligje është vendosur që të trajtimi i tyre të bëhet në procedurë të rregullt.

Afati ligjor për të propozuar amendamente sipas rregullores së Kuvendit është 15 ditë.

“Amendamentet në projektligj mund të propozoj deputeti, komisioni parlamentar dhe Qeveria. Amendamentet i adresohen komisionit përgjegjës- raportues, nëpërmjet zyrës për propozime dhe parashtresa brenda përmbledhjet ditësh nga dita e miratimit në parim”- thuhet në rregullore.

Sjellja e këtyre dy projektligjeve sot në kuvendit, nuk do t`ia mundësonte, deputetëve që të shtojnë amendamente të reja për këto dy projektligje të propozuara nga qeveria.

Në seancën e 9 dhjetorit, është miratuar në lexim të parë Projektligji për pagat në sektorin publik. Për kanë votuar 68 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji për Zyrtarët Publik është miratuar 61 vota për dhe 1 abstenim.

Miratohet Ligji për Zyrtarët Publikë