Lufta në Ukrainë, Robertson: Nuk duam Luftë të Tretë Botërore mes NATO-s dhe Federatës Ruse

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, në emisionin “KallxoPërnime”, ka folur për luftën në Ukrainë dhe për ndihmën ushtarake, që sipas tij, po i ofrohet këtij shteti.

Ukrainasve, sipas tij, po u dërgohet armatimi që e ata e duan për t’i larguar pushtuesit rusë.

“Ata nuk duan trupa tokësore…”- ka thënë Robertson, duke përkujtuar se situata në Kosovë ka qenë ndryshe.

“Në Kosovë, ne bombarduam Jugosllavinë nga ajri dhe në fund hymë me trupa tokësore dhe forcat serbe duhej të tërhiqeshin. Por edhe ukrainasit do të gëzoheshin sikur t’i ndihmonit duke bombarduar objektiva rusë brenda Ukrainës. Nuk janë assesi të krahasueshme këto dyja, por edhe nuk donim konflikt me Rusinë këto ditë”- ka thënë ai.

Robertson ka deklaruar se nuk duan luftë të tretë botërore mes NATO-s dhe Federatës Ruse.

“Nuk duam konfrontim. Nuk duam Luftë të Tretë Botërore mes NATO-s dhe Federatës Ruse. Po mundohemi të shmangim një luftë të tillë. Por, Perëndimi është duke ia dhënë ukrainasve kapacitetet për ta mbrojtur veten dhe deri tani kanë vepruar mirë. Materialet po ju arrijnë tashmë dhe në bazë të informacioneve që kemi kanë filluar të kenë avancime, të sulmojnë në Krime dhe të turpërojnë rusët ushtarakisht”- u shpreh ai.

Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin po synon të përçajë Evropën.

“Vladimir Putin po synon të përçajë Evropën ndërkaq ajo është më e bashkuar se kurrë. Po synon të ndajë Evropën nga Amerika, ndërkaq ato janë të bashkuara si hekuri. Pati thënë se mund ta marrë Ukrainën për 3 ditë, por kaluan 2 vjet e gjysmë dhe nuk ka avancuar asnjë pikë” – ka thënë tutje ai.

Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë mëngjesin e 24 shkurtit 2022, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.

Për “kontributin e lartë për lirinë e Kosovës”, atij i është ndarë Medaljen e artë të lirisë” nga ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në vitin 2019, Robertson është dekoruar edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me medaljen “Skënderbeu”.

[Raportimet e KALLXO.com për luftën në Ukrainë i gjeni në këtë LINK.]