Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lladrovci: Me këtë intensitet të investimeve të Qeverisë, do të duhen 9 vjet për të asfaltuar 9 kilometra rrugë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për Portalin Dukagjinin, ka treguar për punën e tij si udhëheqës i komunës, sfidat që i ka kaluar, sfidat që e presin dhe për raportin me Qeverinë.

“Përkrahja nga Qeveria është në shpërputhje me nevojat e qytetarëve. Për mungesë të përkrahjes, për shembull, rruga e filluar me katër korsi (Gllobar-Komoran), nëse vazhdon me këtë intensitet të investimeve nga niveli qendror, do të duhen edhe nëntë vjet për finalizimin e kësaj rruge me gjatësi rreth 9.200 metra. Presim më shumë në vitin 2023, edhe pse shumë të pakënaqur me investimet gjatë vitit 2022”.

Në mënyrë kaq pesimiste e ka cilësuar punën e Qeverisë në raport me investimet në Komunën e Drenasit, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për Portalin Dukagjini.

Por Lladrovcin, në mesin e kritikave dhe zhgënjimeve me Qeverinë, ka theksuar përkrahjen e vetme nga Qeveria, e që është shpërndarja e buxhetit, sipas numrit të banorëve.

“Përkrahja është e përqendruar në shpërndarjen e rregullt buxhetore, sipas numrit të banorëve, por, ngecjet janë në shumë fusha…”, ka thënë Lladrovci, duke i listuar problemet që ka komuna e tij nga neglizhimi i Qeverisë.

“Problemin kryesor e kemi me finalizimin e projekteve të filluara, të cilat kërkojnë vite e vite për finalizim, si për ujin e pijes, ndërtimi i rrugës me katër korsi Gllobar-Komoran, rruga Gradicë-Zhilivodë, ndërtimi i rrugës së re Kroni i mbretit – Liqeni i Vasilevës, ‘Ujëmbledhësit në fshatin Vërboc’, Projekti ‘Ndërtimi i impianti për trajtimin e ujërave të zeza’, ‘Pishina Gjysmë Olimpike’, ‘Ndërtimi i Rrugës Bregut të Qyqavicës’, ‘Asfaltimi i rrugës Llapushnik-Berishë’, ‘Ndërtimi i urës në rrugën tranzit Kroi i Mbreti – Drenas – Skenderaj’, janë projektet me prioritet”.

Ndërsa, ai ka treguar për pikat e tij të forta në raport me qeverisjen e Drenasit, dhe ngecjet e tij gjatë vitit 2022. E ku për këto ngecje, Lladrovci prapë varë fajin tek Qeveria.

“Parimet e mia të forta janë Qeverisja e mirë, me transparencë e llogaridhënie, zbatimi i ligjit, barazia para ligjit. Për punën tonë, kemi marrë çmimin për ‘Qeverisje të shkëlqyer’ nga Asociacioni Evropian për Demokraci Lokale, presim vlerësim po ashtu me performancë të shkëlqyer, në garën për Grantin e performancës në nivel nacional. Ndërsa për ngecjet, mund të them se janë ato të cilat qytetarët i shohin që varen nga niveli qendror, qoftë në financim, qoftë në finalizim të projekteve të filluara”, ka thënë ai.

E sa i përket, edhe një kandidimi të tretë për kryetar komune, Lladrovci thekson se fati i tij edhe për një mandat, varet nga puna e tij, nga qytetarët dhe interesat e tyre.

“Kjo varet nga zhvillimet për punët kapitale të filluara tashmë por edhe nga faktorët tjerë. Qeverisja lokale e kërkon kryetarin me angazhim të plotë, me energji të shtuara, të ndjeshëm ndaj kërkesave të qytetarëve dhe me vizion për të çuar përpara çështjet jetike për qytetarët. Gjithsesi, varet nga rrethanat, qytetari dhe interesi i tyre është në vend të parë, kemi dëshmuar si kabinet se e bëjmë ndryshimin për të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, mbetet të shihet”, ka thënë Lladrovci.

Intervistën e plotë me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci si në vijim:

Dukagjini: Cilat janë pikat e tuaja më të forta të qeverisjes me Drenasin gjatë vitit 2022, dhe ato ku keni pasur ngecje ne realizim, dhe pse kanë ndodhur ato?

Parimet e mia të forta janë Qeverisja e mirë, me transparencë e llogaridhënie, zbatimi i ligjit, barazia para ligjit. Për punën tonë, kemi marrë çmimin për “Qeverisje të shkëlqyer” nga Asociacioni Evropian për Demokraci Lokale, presim vlerësim po ashtu me performancë të shkëlqyer, në garën për Grantin e performancës në nivel nacional. Ndërsa për ngecjet, mund të them se janë ato të cilat qytetarët i shohin që varen nga niveli qendror, qoftë në financim, qoftë në finalizim të projekteve të filluara.

Dukagjini: Çka mund të presim më shumë nga Kryetari Lladrovci për vitin 2023 krahasuar me vitin që po lëmë pas?

Presim të finalizojmë projekte të infrastrukturës lokale, të fillojmë edhe shumë projekte të reja, shpresojmë të ngrisim cilësinë e jetës së qytetarëve me shërbime më të mira në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, grumbullimin e mbeturinave dhe të ofrojmë perspektivë për të gjithë.

Dukagjini: Sa është e përkrahur Komuna e Drenasit nga Qeveria, në cilët sektorë është përkrahur më shumë dhe në cilët po neglizhohen?

Përkrahja është e përqendruar në shpërndarjen e rregullt buxhetore, sipas numrit të banorëve, por, ngecjet janë në shumë fusha. Problemin kryesor e kemi me finalizimin e projekteve të filluara, të cilat kërkojnë vite e vite për finalizim, si për ujin e pijes, ndërtimi i rrugës me katër korsi Gllobar-Komoran, rruga Gradicë-Zhilivodë, ndërtimi i rrugës së re Kroni i mbretit – Liqeni i Vasilevës, “Ujëmbledhësit në fshatin Vërboc”, Projekti “Ndërtimi i impianti për trajtimin e ujërave të zeza”, “Pishina Gjysmë Olimpike”, “Ndërtimi i Rrugës Bregut të Qyqavicës”, “Asfaltimi i rrugës Llapushnik-Berishë”, “Ndërtimi i urës në rrugën tranzit Kroi i Mbreti – Drenas – Skenderaj”, janë projektet me prioritet.

Dukagjini: Sa dallon përkrahja e Qeverisë Kurti II, me Qeveritë paraprake?

Përkrahja nga Qeveria është në shpërputhje me nevojat e qytetarëve. Për mungesë të përkrahjes, për shembull, rruga e filluar me katër korsi, nëse vazhdon me këtë intensitet të investimeve nga niveli qendror, do të duhen edhe nëntë vjet për finalizimin e kësaj rruge me gjatësi rreth 9.200 metra. Presim më shumë në vitin 2023, edhe pse shumë të pakënaqur me investimet gjatë vitit 2022.

Dukagjini: Cilat janë sfidat që ju presin në vitin 2023?

Sfidë është krijimi i vendeve të reja të punës dhe perspektiva për të rinjtë, sfidë është problematika e komasacionit, Parku i Biznesit Drenasi II dhe perspektiva për kompanitë e reja, uji i pijes, krijimi i kompanisë lokale për mbeturina dhe cilësia e shërbimeve publike, lehtësimi i mobilitetit të qytetarëve dhe mirëqenia sociale.

Dukagjini: Një komunë e cila ka qenë thuajse e shkatërruar tërësisht nga lufta, tani në një komunë lidere për nga puna, çfarë do të thotë kjo për qytetarët e Drenasit?

Për qytetarët do të thotë shumë, sepse, mirëqenia në tërësi është përmirësuar dukshëm. Përpiqemi të sigurojmë cilësi në arsim, shëndetësi, kushte e rrethana për vende të reja të punës, asfaltim të rrugëve, kanalizime për çdo lagje e shtëpi, përkujdesje për mbeturina, trotuare dhe ndriçim, rrjetin elektrik dhe ujin për disa zona, shërbimi ndaj qytetarëve, përkujdesja për rini, sport, kulturë, janë fusha që na bëjnë krenar dhe normalisht, kemi mirënjohje nga institucionet qendrore dhe organizatat e donatorëve që merren me pushtetin lokal, ambasadat, OJQ-të dhe mediat.

Dukagjini: A do të kandidoni edhe për një mandat në zgjedhjet e ardhshme?

Kjo varet nga zhvillimet për punët kapitale të filluara tashmë por edhe nga faktorët tjerë. Qeverisja lokale e kërkon kryetarin me angazhim të plotë, me energji të shtuara, të ndjeshëm ndaj kërkesave të qytetarëve dhe me vizion për të çuar përpara çështjet jetike për qytetarët. Gjithsesi, varet nga rrethanat, qytetari dhe interesi i tyre është në vend të parë, kemi dëshmuar si kabinet se e bëjmë ndryshimin për të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, mbetet të shihet./Dukagjini