Telashet në Fakultetin e Arteve që ua këputën ëndrrat studentëve

LIVE - Telashet në Fakultetin e Arteve që ua këputën ëndrrat studentëve

Në vitin 2017 nisën disa telashe në Fakultetin e Arteve, të cilat lanë disa studentë pa i përfunduar studimet. Në anën tjetër, një profesor i këtij fakulteti po pret verdiktin e drejtësisë për padrejtësitë që pretendon se iu bënë.

Edenja Haxhikadrija asnjëherë nuk e kishte menduar që do t’i drejtohej një gjykate për t’u pranuar në drejtimin e instrumentit frymor të Oboas në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Por, me telashet që u përballë gjatë regjistrimit, e bindën atë që t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

Telashet e para ajo i hasi kur vendosi të studiojë për këtë instrument frymor në vitin 2017. Komisionet vlerësuese për pranim të studentëve në Fakultetin e Arteve të UP-së e kishin refuzuar me arsyetimin se nuk është e përgatitur sa duhet. Ankesat studentja Haxhikadrija i drejtoi brenda organeve të fakultetit, por përgjigjet nuk sollën lajme të mira.

Të drejtën e saj ajo e kërkoi edhe në Inspektoratin e Arsimit në Ministrinë e Arsimit. Ani se kjo trupë inspektuese i kishte dhënë të drejtë, vendimet nuk u zbatuan nga fakulteti.

Mundësinë e fundit, Edenja e kishte shfrytëzuar duke iu drejtuar gjykatës.

“Do të thotë unë i kisha të gjitha dokumentet, të gjitha faktet për këtë që ndodhi, për të gjitha këto shkelje që i konstatoi avokati dhe pas disa seancave e fitoi të drejtën për të qenë pjesë e fakultetit…” – kujton ajo.

“Kjo pjesë nuk ishte që më pëlqente, po kur e pash që nuk ka persona që me vlerësojnë, e pash që më mirë me u vlerësu me të drejtën sesa nga njerëz që nuk po e shikonin anën e drejtë” – thotë Edenja Haxhikadrija.

Saga e telasheve për studenten që dëshironte të studionte për instrumentin e Oboas, vazhduoi kur erdhi koha e provimeve.

Në Fakultetin e Arteve, Departamenti i Muzikës, notimi i studentëve bëhet me komision. Siç rrëfen studentja Edenja Haxhikadrija, provimin e parë nuk e kaloi, ani se ishte përgatitur përgjatë një viti.

“I pyes profesorët që ishin pjesë e komisionit, kur e kam radhën unë për me hy në provim, ata më thonë, pse ti je pjesë e këtij fakulteti? Kjo ka qenë ana demoralizuese, mohimi i komplet i drejtës tënde, i studentit në gjitha aspektet” – thotë ish-studentja.

Haxhikadrija provoi disa herë, por provimet nuk i kalonte pasi komisioniet vlerësuese e rrëzonin. Kështu, vendosi të ndërpresë përpjekjet.

“Të them të drejtën, nuk vazhdova me ankesa, për mua kaluan tre vite prej momentit kur kam filluar me u nënshtrua nëpër afate konkurruese edhe është bë kohë e gjatë edhe ishte momenti kur unë filloj të demoralizohem komplet, moralisht, emocionalisht edhe vendosa vetëm me e lënë…” – thotë ajo.

E gjithë situata e krijuar në Fakultetin e Arteve ajo thotë se ndodhi pas disa përplasjeve mes profesorëve të këtij fakulteti.

Që nga viti 2014 deri në vitin 2017, ligjërues i lëndës së instrumentit frymor Oboa në Fakultetin e Arteve ishte Ridvan Murtezi, si profesor i angazhuar nga Universiteti i Prishtinës.

Por, gjashtë vjet më parë, në vitin 2017, kur Murtezi aplikoi në konkursin për ligjërues të kësaj lënde, një komision recenzues vlerësoi se ai nuk i plotëson kriteret e konkursit.

Kësisoj, për një vit Fakulteti i Arteve mbeti pa profesor që do ta ligjëronte lëndën e Oboas.

Ky fakt kishte lënë stundetët në ‘mjegull.’

“Në tetor të atij viti (2017) e kemi kuptuar që kemi mbetë pa profesor, profesori jonë si bashkëpunëtor i jashtëm i është shkëputur kontrata dhe ne nuk e kemi ditë çka ka me ndodh me neve, kemi qenë në mesin e studimeve, dhe unë si studente që e kam pas vetëm edhe një vit për me diplomu kam qenë e shqetësuar se çka ka me ndodh me ne…” – thotë Minavere Sylaj, një tjetër studente e cila nuk arriti t’i përfundojë asnjëherë studimet në Fakultetin e Arteve.

Ajo ishte në vitin e tretë të studimeve. Ankesën, Sylaj thotë si i adresuan çdo herë në menaxhmentin e fakultetit, te Dekani dhe Prodekanja në atë kohë, por u injoruan vazhdimisht.

Gjashtë vjet më vonë, ajo tregon sesi ngjarjet e krijuara brenda Fakultetit të Arteve bënë që të lë studimet në gjysmë.

“Ndjehem e thyer moralisht, nuk e di kush ka me dhënë përgjegjësi për këto vite të humbura, për tërë atë mund që e kemi dhënë, për tërë ato ushtrime, besa besë edhe shpenzimet që janë bë sepse instrumenti nuk është i lirë edhe për mirëmbajtje e të tjera” – thotë Minavere Sylaj.

Një studente tjetër thotë se kur ‘përplasjet’ filluan mes profesorëve në fakultet, një notë iu hoq nga sistemi elektronik i notimit, SEMS. Profesori i lëndës kishte vendosur ta kalojë në provim, por komisioni jo.

“Pas dy-tre dite ose një javë, nuk e di, mua më është anulu nota që ma ka lënë profesori në sistemin që është në fakultetit, dhe mu ka heq lista e notave pa më pyet askush pa marrë leje prej meje pa u konsultuar… pas pak kohe, më kanë njoftuar se ti nuk e ke kalu vitin nota jote është anuluar dhe je prap në vitin e parë…” – thotë ish-studentja e instrumentit Oboas, Djellza Fazliu.

Ky nuk ishte problemi i vetëm me të cilin ajo u përballë gjatë kohës sa ishte duke studiuar në Fakultetin e Arteve. Sic tregon ajo, një profesor i këtij fakulteti ishte takuar me të dhe prindërit e saj për t’i kërkuar që t’i lë studimet në drejtimin e instrumentit frymor Oboa.

“Kam dal kam biseduar me prof. Astrit Mustafa, para fakultetit të Arteve dhe ky profesor më ka thënë që, ne ta japim mundësinë t’i me ndërru drejtim veç leje Oboan” – pretendon Djellza Fazliu.

Për këtë bisedë me profesorin Astrit Mustafa dhe takimin e tij me prindërit e saj, ajo thotë se ka edhe dëshmi.

“Mujna me ta dhënë mundësinë me dalë në muzikë të përgjithshme, aty secila degë i ka provimet që dallojnë prej njëra-tjetrës, ato tjerat provime mujna me t’i kalu, nuk është problematike veç leje anej e vazhdo këtu…” – kujton nga biseda me profesorin Mustafa ish-studentja Fazliu.

Përplasjet e profesorëve

Ridvan Murtezi për tre vite me radhë kishte ligjëruar lëndën e Oboas në Fakultetin e Arteve. Por, në vitin 2017, komisionet vlerësuese kishin dhënë mendim negativ ne recensione. Murtezi, i cili nuk u pajtua asnjëherë me vendimet e komisioneve, thotë se tre profesorë, kolegë të tij në Fakultetin e Arteve, u angazhuan për ta mbyllur drejtimin e instrumentit frymor.

Vlerësimet ai i kishte kontestuar në Inspektoratin e Arsimit dhe Inspektoratin e Punës. Pas tri herë përpjekje për tu angazhuar si profesor i jashtëm, ai arrin të bëhet pjesë e fakultetit. Por, thotë se nga vlerësimet e komisionit pësuan studentët.

“Profesorët e Fakultetit të Arteve, të Departamentit të Muzikës, prof. Betim Krasniqi, Shkumbin Bajraktari dhe Astrit Mustafa për çudi i kishin dhënë vetës një detyrë, kishin marrë për obligim për ta mbyllur drejtimin e Oboas” – thotë Murtezi.

Për këtë, ai thotë se tre profesorët kishin punuar në tri pista të ndryshme.

“Studentët që ishin aktivë në këtë drejtim kishin marrë për obligim t’i rrëzonin nga secili provim, duke më anashkaluar mua si mësimdhënës i kësaj lënde që mos të jem anëtarë i komisionit dhe po futeshin nga pesë anëtarë e shtatë anëtarë të komisionit me qëllim që të jenë një goje në vlerësim” – pretendon ai.

Sipas Murtezit, studentët që dëshironin të regjistroheshin në drejtimin që ai ligjëronte nuk u pranon, ndërsa ata që ishin në prag të diplomimit, pengoheshin për të përfunduar studimet.

Ridvan Murtezi provoi tri herë që pranohej në Fakultetin e Arteve në vitin 2017. Por, komisionet vlerësuese kishin vendosur që ai nuk i plotëson kriteret e konkursit.

Ankesat ndaj vendimeve të komisioneve recensuese, Murtezi i kishte adresua në Inspektoratin e Arsimit, me ç’rast kishte fituar në të gjitha shkallët.

Ndërsa, ndaj komisioneve kishte bërë kallëzim penal. Në dhjetor të vitit 2020, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritë një aktakuzë ndaj tre profesorëve, Betim Krasniqi, Astrit Mustafa dhe Shkumbin Bajraktari.

“Unë mendoj që janë gjëra të ulëta, ndoshta kish qenë mirë edhe ata me i pyet, mendoj që pengesa jam unë” – thotë ai.

“Unë telashe personale me ta ju betohem kurrë s’kam pas. Unë kam pas telashe në kuptimin kur jemi hy në provimin e Djellza Faziut, në kuptimin janë ardhur pesë anëtarët e komisionit dhe në riprovimin e saj shtatë anëtarë të komisionit” – vlerëson Ridvan Murtezi.

Ai e pranon se me profesorët pati debate të nxehta, por, ai nuk vlerëson se ndonjëherë i kërcënoi ata.

“Ne kemi në emisione e debate që ofendohen, nuk mund të quhet një gjë e tillë kërcënim…debat i nxehtë, nuk do të thotë që patjetër unë duhet me u përshtatë se çfarë argumentojnë diçka të paqenë” – thotë ai.

Për t’i konfirmuar pretendimet e studentëve dhe profesorit, Ridvan Murtezi, janë kontaktuar edhe profesorët dhe menaxhmenti i kohës kur ndodhën krejt problemet në Fakultetin e Arteve.

Profesori, Astrit Mustafa, për të cilin studentja Djellza Fazliu pretendon se i kërkoi që t’i lë studimet në drejtimin e Oboas, nuk e ka mohuar që është takuar me të dhe prindërit e saj, por ai tha se ato kanë qenë veç sugjerime.

“Jo, jo asnjëherë nuk kom pretendu me ndërpre…” – tha ai përmes telefonit kur u pyet për pretendimet e studentes Fazliu.

“Jo, jo. Unë ndoshta me mendimin më të mirë i kam udhëzu, por jo me i ndërpre studimet asnjëherë” – deklaron Astrit Mustafa.

Më tepër, Mustafa nuk ka dashur të japë shpjegime.

As profesori tjetër i Fakultetit të Arteve, Betim Krasniqi nuk ka dashur të deklarohet shumë rreth pretendimeve të profesorit Ridvan Murtezi. Ai tha se një aktakuzë e ngritur ndaj tij dhe dy profesorëve të tjerë, Astrit Mustafa dhe Shkumbin Bajraktari është rrëzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Po aktakuzën ua dërgoj edhe vendimin që ka marrë situata tash, këto ditë edhe që e ka hudhë poshtë. Jashtëzakonisht tendencioz komplet atë aktakuzë. Ta dërgoj vetëm ma dërgo e-malin” – tha Krasniqi.

“Detajet që kanë lidhje me menaxhment unë nuk jam kompetent me fol…Absolutisht unë mund të ju përgjigjem, vetëm dërgoma e-mailin ua dërgoj materialin që e kam. Kurse për këto pretendimet, nuk po më kujtohet diçka specifike” – tha ai përmes telefonit.

Në një përgjigje përmes e-mailit, Prokurori Agron Uka nga Prokuroria Themelore në Gjilan konfirmoi se aktakuza ndaj tre profesorëve është rrëzuar në shkallën e parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai tha se tani do të shfrytëzohet mundësia e ankimit në shkallën e dytë.

Në anën tjetër, intervistë nuk ka pranuar as profesori tjetër, Shkumbin Bajraktari. Njëherë, ai tha se mund të takohemi e t’i sqarojmë pretendimet, por pastaj Bajraktari nuk deshi të flas për të gjitha çështjet e ngritura nga studentët dhe profesori Murtezi.

“Dëgjomë, këtë punë u konsultova edhe me profesorin Betim, kështu që çdo gjë edhe Dekanin çka do që keni, mundeni me u konsultu me të përndryshe unë nuk prononcohem kurrgjë rreth kësaj çështjeje” – tha ai.

“Fol me Dekanin, ai ju sqaron ai është eprori jonë më i lartë që ju tregon krejt procedurat, çka-qysh-tek e pse-qysh-çka. Kështu që unë nuk prononcohem rreth kësaj pune” – deklaroi Bajraktari.

Në kohën kur kanë ndodh krejt këto probleme, në Fakultetin e Arteve Prodekane ishte Florita Raifi.

Për t’i adresuar shqetësimet e studentëve dhe pretendimet e profesorit Ridvan Murtezi, ne kemi një intervistë edhe Prodekanen, Florita Raifi. Në bisedat përmes telefonit, Raifi pranoi intervistën por pastaj tha se do të udhëtojë jashtë vendit.

Agim Selimi ishte Dekan i Fakultetit të Arteve kur nisen problemet në këtë fakultet në vitin 2017. Ai ka thënë se telashe pati në vazhdimësi, por Selimi thotë se u trajtuan në vazhdimësi.

Ish-Dekani thotë se nuk u pajtua as atëherë me vendimet e Inspektoratit të Arsimit ndaj ankesave të studentëve dhe profesorit Ridvan Murtezi. Madje, thotë se vendimi i gjykatës për t’i mundësuar regjistrimin në fakultet për studenten Edenja Haxhikadrija ishte skandaloz.

“Telashe gjithmonë ka pasur në fakultet, nuk është as rasti i parë, as i dyti, gjithmonë ka ekzistua një problem rreth të angazhuarve” – thotë Selimi në një intervistë për KALLXO.com.

Ndryshe nga komisionet vlerësuese, të cilat kishin thënë se profesori Ridvan Murtezi nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit, prandaj edhe nuk ishte pranuar në vitin 2017 si profesor i angazhuar, ish-Dekani Selimi thotë se atë vit nuk kishte studentë në lëndën e Oboas.

“Ka qenë një profesor i angazhuar i cili në vitin 2017 nuk ka pas studentë sepse studentja ka pas me kaluar në vitin tjetër, nuk e ka kaluar provimin” – thotë ai.

“Unë qëndroj prapa vlerësimeve të komisionit edhe kam qëndruar, mirëpo jo veç unë që kam qëndruar mirëpo çdo vendim i komisionit është shqyrtuar edhe në këshill të fakultetit, këshilli i fakultetit ka votuar për ato vendime edhe unë kam qenë i detyruar me i respektuar ato vendime” – thotë Selimi.

Ai ka thënë se ani se i kanë zbatuar, me vendimet nuk është pajtuar asnjëherë. As me atë të gjykatës.

“Është rasti shumë i ditur për ne dhe kjo ka qenë, unë mendoj goxha skandaloze me u merr Gjykata me përcaktu sepse nuk ka shkelje të procedurave, ka çështje të vlerësimit profesional” – thotë ai.

“Në bazë të çfarë vlerësimi Gjykata bën vlerësim profesional. Ka qenë e përmbaruar, ne jemi konsultuar dhe Sekretari i Fakultetit më kujtohet e kemi diskutuar, ka thënë kjo duhet me u zbatua. Vendimi është absurd, vendimi është absurd, vendimi është absurd kur ndërhyhet në çështje profesionale, prej Gjykatës, është absurd” – ka vlerësuar Agim Selimi.

Ai ka folur edhe për pretendimet e studentëve se disa profesorë u kanë kërkuar që ta lënë drejtimin e Oboas.

“Jo, lirisht kanë mujtë me i paraqitë këto ankesa edhe te unë edhe unë nuk e di që dikush prej profesorëve, në qoftë që kanë insistuar, ajo është jo etike dhe secili duhet të përgjigjet. Jo, nuk kam qenë në dijeni” – ka thënë ai.

Tutje, ai u përgjigj edhe për rastin, ku studentja Djellza Fazliu thotë se iu hoq një notë nga sistemi i notimit, SEMS.

“Nota vendoset sipas vendimit që merr komisioni. Me sa e di unë këtë rast, ekzistojnë edhe shkresat sepse jam marrë pastaj me të dhe i është propozuar profesorit mos me gabu me qitë notë. Ai e ka vë notën dhe pastaj me procedura është heq ajo notë sepse s’ka pas të drejtë” – ka deklaruar Selimi.