Foto: KALLXO.com. “Përtej Pollokut” nga Besnike Maloku-Morina, studente në Fakultetin e Arteve.

Ekspozita tradicionale e studentëve të Fakultetit të Arteve

Studentët e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës kanë hapur Ekspozitën e tyre tradicionale të fundvitit akademik.

Në këtë ekspozitë, studentët, në bashkëpunim me profesorët, mësimet e tyre që i kanë marr që nga tetori i kanë përkthyer në vepra arti.

Në salla e përgjatë korridoreve të këtij fakulteti, studentët kanë vendosur punimet e tyre të cilat i prezantojnë para të interesuarve për të parë rezultatet e punës së tyre.

Këta studentë, gjatë prezantimit tregojnë edhe konceptet që i kanë pasur për realizimin e këtyre veprave artistike.

Sipas Prodekanit të Degës së Arteve Vizuale në këtë fakultet, Mehmet Behluli, ekspozita planifikohet të jetë e hapur gjatë tërë verës.

“Fakulteti ynë, përbëhet prej 3 degëve kryesore. Janë artet vizuale, artet dramatike dhe muzikore. Pjesa e arteve vizuale i kemi shtatë profile ku studentët mund të studiojnë pikturën, skulpturën, grafikën, artin konceptual dhe dy profile të dizajnit”, ka thënë Behluli.

Tutje ai është shprehur krenar me punimet e studentëve, duke thënë se veprat e tyre të artit paraqesin gjithë punën një vjeçare.

“Ne jemi krenar, mburremi me këtë ekspozitë sepse me të vërtetë në fund shihet njëfarë pune se sa punon gjatë vitit, proceset krijuese janë më komplekse sesa që mundet me i pa opinioni. Kështu që për fund ne provojmë me i ekspozu si të kryera”, ka thënë Behluli.

Në anën tjetër, njëri nga profesorët në Fakultetin e Arteve, Adem Rusinovci ka thënë se në ekspozitë nuk janë prezantuar të gjitha punimet, por janë selektuar vetëm disa nga ato.

“Në këtë rast jemi në klasën time ku janë prezantuar studentët e të dytë të skulpturës, jo të gjitha normalisht, por kemi bërë një përzgjedhje me qenë prezantim sa më dinjitoz”, ka thënë Rusinovci.

Në klasën e tij, ku janë prezantuar punimet e disa studentëve të vitit të dytë, Rusinovci ka thënë se kanë krijuar një koncept që paraqet realitetin shqiptar.

“Kam mendu bashkërisht me studentët me kriju një koncept që lidhet ndoshta shumë me një realitet shqiptar sepse mbrapa kem një prezantim në këtë televizorin e vjetër dhe në dollapin e vjetër e puthjes së parë në filmin shqiptar që është bërë bujë jashtëzakonisht e madhe”, tha Rusinovci.

Njëra nga studentët e Fakultetit të Arteve, Besnike Maloku-Morina gjatë vitit të dytë të studimeve të saja ka punuar veprën “Përtej Pollokut”.

Maloku-Morina ka thënë se inspirimin e ka marr nga piktori i njohur amerikan, Jackson Pollock.

“Inspirimi ka ardh nga ky piktor që siç dihet artin e ka zhvillu në pikturë. Por, unë e kam bërë një instilacion në skulpturë për me tregu se arti vazhdon dhe në teknika tjera, pra arti nuk vdes asnjëherë”, ka thënë ajo.

Maloku-Morina ka shpjeguar edhe konceptin e veprës, që janë refugjatët.

“Çadrat i përfaqësojnë refugjatët, lëvizjet e tyre në vende të ndryshme, fytyrat përfaqësojnë vështirësitë që paraqesin vet njerëzit gjatë asaj periudhe të jetës së tyre, pastaj edhe ata njerëz që nuk mund të ja dalin në jetë”, ka thënë ajo.

Edhe studentja tjetër, Albiona Miftari ka prezantuar punimet e saja.

“Këto janë punimet e mija që unë kam punu me cikël. Punimet i kam punuar sepse i kam pas detyrë ta punojë një fragment trupor, kam filluar me një gjuhë të vogël dhe kemi bërë një cikël të madh të punimeve deri kemi arritur në dimensionin dy metra të gjuhës”, ka thënë ajo.

Videon mund ta shihni KËTU.