Anti-korrupsioni detyron ish-prodekanin e Fakultetit të Arteve të tërhiqet nga OJQ-ja

Agjencioni Kundër Korrupsion kishte hasur në një konflikt interesi tek ish-prodekani i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Hazir Haziri, që tash është dekan i këtij fakulteti.

AKK ka idenetifikuar se Haziri përpos postit të prodekanit ka ushtruar funksionin e Drejtorit Ekzekutiv në një organizatë joqeveritare, “Global Acting Network”.

Anti-korrupsioni ka bërë të ditur se pas kësaj ka kërkuar nga departamenti për OJQ në Ministrinë e Administratës Publike për verifikimin e kësaj çështje.

“Nga përgjigja zyrtare, rezulton se zyrtari i lartë, Hazir Haziri është Drejtor Ekzekutiv dhe Person i Autorizuar në OJQ-në në fjalë”, ka bërë të ditur AKK përmes një vendimi.

AKK më tej ka thënë se pas verifikimit e kanë kontaktuar ish-prodekanin Hazirin për rastin e konfliktit të interesit dhe se e kanë njoftuar se gjatë ushtrimit të funksionit publik, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ai nuk mund që të ushtrojë funksionin drejtues si dhe as të jetë përfaqësues i autorizuar i OJQ-së.

“Sepse kjo situatë paraqet gjendje të papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit publik, sic  përcaktohet me nenin 13, paragrafi 1,të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik si dhe neni 14”, ka thënë më tej AKK.

Pas kësaj, Agjencioni Kundër Korrupsion ka bërë të ditur se Haziri ka dhënë dorëheqje nga pozitat udhëheqëse  të OJQ-së.

“Pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve,  Hazir Haziri është pajtuar me gjetjet e Agjencisë, duke deklaruar se do të ndërrmarrë veprime të mënjëhershme dhe konkrete në mënyrë që të shmang papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik”, thotë AKK.

AKK për këtë thotë se ka pranuar edhe dëshmi.

“Ndërkohë, Agjencia ka pranuar njoftimin, më të cilën dëshmohet se zyrtari i lartë, Hazir Haziri ka dhënë dorëheqje nga funksioni drejtues në OJQ “Global Acting Network”, si dhe i njëjti nuk figuron më të jetë person i autorizuar i OJQ-së në fjalë”, është thënë më tej.

Agjencioni ka theksuar se  mund të rihap rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

Hazir Haziri u emërua dje nga senati i UP-së si dekan i Fakultetit të Arteve, pas zgjedhjeve që u mbajtën në këtë universitet.