Foto: BBC

Lituania dhe Polonia "mund t’i mbyllin kufijtë me Bjellorusinë" për shkak të luftëtarëve të Wagner

Të paktën 100 mercenarë të grupit Wagner ndodhen në Bjellorusi, afër kufirit polak, ndërkohë që frika rritet se ata synojnë të sjellin krizë në vendet fqinje.

Polonia dhe Lituania po shqyrtojnë mbylljen e kufijve të tyre përkatës me Bjellorusinë mes shqetësimeve për praninë atje të grupit mercenar Wagner, deklaroi të premten zëvendësministri i brendshëm lituanez, Arnoldas Abramavičius.

“Konsideratat janë reale. Mundësia e mbylljes së kufirit ekziston”, u tha gazetarëve Arnoldas Abramavičius.

Bjellorusia i ka pritur luftëtarët Wagner pas rebelimit të tyre jetëshkurtër kundër ushtrisë së Rusisë.

Kryeministri polak deklaroi të shtunën se më shumë se 100 mercenarë që i përkisnin grupit të lidhur me Rusinë anë zhvendosur pranë kufirit polak. Mateusz Morawiecki tha se mercenarët janë zhvendosur pranë hendekut Suwalki, një shtrirje strategjike e territorit polak që ndodhet midis Bjellorusisë dhe Kaliningradit, një enklavë ruse.

Lituania i ka paralajmëruar vazhdimisht aleatët e saj perëndimorë se mercenarët e Wagner mund të maskohen si azilkërkues që përpiqen të kalojnë kufijtë e Bjellorusisë me vendet anëtare të BE-së, ose të bëjnë provokime që përfshijnë refugjatët.

“Mund të jenë disa grupe refugjatësh, migrantë të parregullt që transferohen për të shkaktuar një lloj trazire,” ka thënë Abramavičius.

Kryetari i partisë në pushtet të Polonisë, Jarosław Kaczyński, ka deklaruar të premten se luftëtarët e ëagner “nuk janë në Bjellorusi për t’u argëtuar”.

“Ata janë atje për të krijuar lloje të ndryshme krizash, të drejtuara kryesisht kundër Polonisë”, tha Kaczyński, duke shtuar se Polonia i ka ndërtuar aftësitë e saj mbrojtëse “në mënyrë që këto provokime, këto aktivitete të dështojnë”.

Polonia dhe Lituania kanë ngritur gardhe në kufijtë e tyre me Bjellorusinë dhe Rusinë, duke e akuzuar Minskun dhe Moskën për orkestrimin e flukseve të emigrantëve në BE në mënyrë që ta destabilizojnë bllokun e BE-së./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala