Foto: REL

Lista Serbe pas shpalljes së dy organizatave terroriste: Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i ta pengojnë Kurtin

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka reaguar pas shpalljes së dy organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikate për media, LS ka thënë se ky vendim i Qeverisë është pjesë e planit të regjimit të Kryeministrit Albin Kurti për të krijuar një armik virtual të sajuar dhe për të vazhduar terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve.

Lista Serbe ka thënë se pas këtyre veprimeve të fundit, kërkojnë nga KFOR-i dhe EULEX-i që urgjentisht të vendosin forcat e tyre në të gjitha pikat në veri të Kosovës dhe me veprime parandaluese ta pengojnë Kurtin të realizojë planin e tij.

“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të deeskalimit me ftesë të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti planifikon përshkallëzimin e mëtejshëm, shtypjen dhe forcimin e pushtetit parapolitik, okupues në veri të vendit” – thuhet tutje në ragim të Listës Serbe.

Tutje LS ka thënë se “Brigada Veriore” është një organizatë virtuale që ekziston në kokën e Kurtit dhe Mbrojtja Civile prej vitesh është integruar me ish-punëtorët e saj në institucionet e Kosovës, prej të cilëve këta punëtorë marrin paga edhe sot.

“Ju kujtojmë të gjithëve se ky vendim i djeshëm i regjimit të Kurtit vjen pas një emisioni të përgatitur dukshëm nga qeveria e Kurtit, kur u gjet një automjet fantazmë me disa armë, të cilat mund të futeshin në një kamion dhe jo në një automjet pasagjerësh, por edhe pasi kishin hedhur disa mjete djegëse në ndërtesën e komunës së Mitrovicës Veriore” – tha tutje Lista Serbe.

Sipas tyre në të dyja rastet vendi i ngjarjes ndodhet në një parametër që kontrollohet prej javësh nga forcat speciale të Kurtit, nga kamerat e tyre dhe dronët dhe pajisjet e tjera vëzhguese.

Kjo parti politike tutje ka thënë se Kurti ka krijuar një sistem unik që sipas tyre nuk është gjë tjetër veçse një gjueti shtrigash në shekullin e 21-të, me anë të të cilit organizatat inekzistente, të cilat ata thonë se asnjëherë nuk janë parë publikisht, as nuk janë marrë përgjegjësi për një sulm terrorist, shpallen organizata terroriste.

Kabineti qeveritar mw 29 qershor ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për KALLXO.com se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt të Kosovës.

DASH: Qeveria e Kosovës është dashur të koordinohet me partnerët për shpalljen e organizatave terroriste