Foto; KALLXO.com

Lirohet nga spitali njëri polic i lënduar në incidentin me Lushtakët, tjetri vazhdon të trajtohet në Klinikën e Ortopedisë

Dy zyrtarë policorë u sulmuan të shtunën rreth mesnatës në Skenderaj, njëri nga ta u plagos me armë e tjetri pësoi lëndime trupore nga goditjet me mjet të fortë.

Ata ishin dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për t’u trajtuar.

Njëri nga ta është liruar sot nga spitali.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar nga zyra për media e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Zyra për informim e SHSKUK,  ju informon se njëri është lëshuar në shtëpi pas tretmanit që ka marrë, kurse tjetri po vazhdon trajtimin në Klinikën e Ortopedisë”, thuhet në përgjigje.

Në rast janë përfshirë ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe tre familjarë të tij.

KALLXO.com raportoi se një armë, e cila është sekuestruar lidhur me rastin, është e njërit nga zyrtarët policorë që ishin të përfshirë në rast.

E njëjta do të ekzaminohet ndërsa ende nuk është bërë e qartë se si ndodhi plagosja e policit në këmbë.

Në një bisedë telefonike për KALLXO.com, Ismet Ujkani, kryeprokuror i Prokurorisë së Mitrovicës, tha se është ende herët të flitet në lidhje me rastin për shkak se duhet të trajtohet edhe më tutje.

“Nuk jam i kyçur në rast por me sa di është sekuestruar një armë. Pritet që të zbardhet rasti gjatë hetimeve”, tha Ujkani për KALLXO.com.

Gjykata e Mitrovicës mbrëmë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Nuredin Lushtakut.