Aktivisti i PDK-së, Milot Krasniqi, dhe kryetari i partisë, Memli Krasniqi - Foto: Facebook/Memli Krasniqi

Lirohet aktivisti i PDK-së që u arrestua pasi hodhi dinarë të Serbisë në drejtim të ambasadorit Martin Berishaj

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, njoftoi se është liruar aktivisti i partisë së tij, Milot Krasniqi, i cili sot zhvilloi një aksion gjatë kohës kur po mbahej Forumi Ekonomik Kosovë-Kroaci, duke hedhur dinarë të letrës në drejtim të ambasadorit Martin Berishaj.

Aktivisti pas veprimit ishte arrestuar menjëherë nga Policia.

Kreu i PDK-së ka thënë se arrestimi i aktivistit ishte i padrejtë dhe së në vend të tij do duhej të ishte arrestuar ambasadori Berishaj.

“Para pak çastesh është liruar aktivisti ynë, Milot Krasniqi, i cili sot u arrestua pa të drejtë dhe në mënyrë arbitrare, gjatë protestës së tij ndaj Ambasadorit Martin Berishaj.

Miloti tashmë është liruar, por ai që në të vërtetë do të duhej të arrestohej sot është vetë Ambasadori Berishaj, për aferën e dyshimtë korruptive dhe për dëmin e madh që i ka shkaktuar imazhit të Kosovës”- shkroi Krasniqi në Facebook.

Sipas kryetarit të PDK-së, ambasadori Berishaj do të duhej të ishte para organeve të drejtësisë dhe jo nëpër konferenca.

“I vetmi vend ku Martin Berishaj do të duhej të fliste është para organeve të drejtësisë, e jo nëpër konferenca. Për të vërtetën dhe llogaridhënien e plotë të kësaj afere nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të saj! Janë miliona euro që Ambasadori Berishaj i ka marrë nga kompania GEN-I me seli në Beograd, disa kallëzime penale të ngritura e dhjetëra raportime të mediave ndërkombëtare për aferën skandaloze, që kërkojnë sjelljen e tij para drejtësisë. Ai dhe Kryeministri Kurti, bashkëpunëtori dhe mbrojtësi i tij, nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke marrë pjesë nëpër aktivitete publike”- tha Krasniqi.

Gjatë ditës ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana e PDK-së që të lirohet aktivisti Milot Krasniqi.