Ligji për Zyrtarë Publikë në Kuvend pas 15 dhjetorit

Gjykata Kushtetuese, më 30 qershor ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të bëjë disa plotësim -ndryshime në Ligjin për Zyrtarë Publikë, në mënyrë që të jetë në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve, por ky ligj pritet të trajtohet nga Kuvendi tek pas 15 dhjetorit.

Nga ana e Kuvendit të Kosovës, kanë bërë të ditur për KALLXO.com se Komisioni për Qeverisje Lokale dhe Administratë Publike, më 5 tetor kishte marrë vendim që Qeveria e Kosovës të hartojë plotësim-ndryshimet e kërkuara nga ana e Gjykatës.

“Kryesia e Kuvendit, me kërkesë  të Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, në mbledhjen e mbajtur me 5 tetor 2020, ka nxjerr ketë përfundim: 1. Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të hartojë Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Rasti KO203/19. 2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë të procedohet nga Qeveria në Kuvend së bashku me Projektligjin për pagat”, është bërë e ditur nga zyra për media.

Tutje, është thënë se Kuvendit këtë ligj e ka pranuar më 13 nëntor, por pritet të shqyrtohet nga komisionet pas datës 15 dhjetor 2020.

“Bazuar në Programin Legjislativ te Qeverisë  për vitin 2020, të ndryshuar me Vendimin Nr.01/43 datë 13.11.2020, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë dhe Projektligji për Pagat në Sektorin Publik pritet të procedohet pas datës 15.12.2020”, thuhet në fund të përgjigjes së Kuvendit për KALLXO.com.

Historiku i Ligjit

Më 12 shtator 2019 kishte hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

Por, sërish Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim që të vazhdohet pezullimi i Ligjit për zyrtarët publikë deri me datë 30 qershor 2020.

Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për shërbyesit civilë.

Disa prej ndryshimeve kryesore që janë paraparë në këtë Ligj që është pezulluar ka qenë centralizimi i konkurseve për shërbyesit civilë.

Ky Ligj parasheh se pranimi në detyrë i nëpunësve civilë, nëpunësve të shërbimit publik dhe nëpunësit administrativ-teknik dhe mbështetës, bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.