Gjykata Kushtetuese pezullon Ligjin për zyrtarët publikë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka miratuar ankesën e Institucionit të Avokatit të Popullit për masë të përkohshme për Ligjin për Zyrtarë Publikë.
Siç është thënë në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese, Avokati i Popullit kishte parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë në disa prej neneve të këtij Ligji.
Kushtetuesja e ka miratuar ankesën e Avokatit të Popullit për masë të pezullimit deri në më 28 shkurt 2020 dhe gjithashtu ka pezulluar zbatimin në tërësi të këtij Ligji.
“Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesën për masë të përkohshme përkitazi me kërkesën: 1. KO 203/19”, u tha në njoftimi.
Ligji për Zyrtarët Publikë ka hyrë në fuqi më 12 shtator të këtij viti.
Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për Shërbyesit Civilë.
Disa prej ndryshimeve kryesore që janë paraparë në këtë Ligj që është pezulluar ka qenë centralizimi i konkurseve për shërbyesit civilë.
Ky Ligj parasheh se pranimi në detyrë i nëpunësve civilë, nëpunësve të shërbimit publik dhe nëpunësit administrativ-teknik dhe mbështetës, bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.