Gjykata Kushtetuese vendos për Ligjin për Zyrtarët Publikë

Gjykata Kushtetuese në aktjgykimin e sotëm për Ligjin për Zyrtarët Publik ka theksuar se ka nene të tij që nuk janë në përputhshmëri me disa nene të Kushtetueses së Kosovës.

Por Kushtetuesja nuk e ka shfuqizuar këtë ligj në tërësi.

Gjykata ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ndërmerr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në harmoni me gjetjet e këtij akktgjykimit.

Gjykata vlerësoi se, duke mos përfshirë nëpunësit civil të institucioneve, ligji i kontestuar cenon parimin e ndarjes së pushtetit të garantuar me nenin 4 dhe 7 të Kushtetutës, si dhe pavarësinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë të përcaktuara në Kapitullin VII [Sistemi i Drejtësisë] të Kushtetutës, konkretisht Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se Ligji i kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën në raport me këto institucione dhe nuk zbatohet ndaj këtyre institucioneve përderisa cenon pavarësinë e tyre institucionale dhe organizative të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në aktgjykim.

Më 12 shtator 2019 ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

Por sërish Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim që të vazhdohet pezullimi i Ligjit për zyrtarët publikë deri me datë 30 qershor 2020.

Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për shërbyesit civilë.

Disa prej ndryshimeve kryesore që janë paraparë në këtë Ligj që është pezulluar ka qenë centralizimi i konkurseve për shërbyesit civilë.

Ky Ligj parasheh se pranimi në detyrë i nëpunësve civilë, nëpunësve të shërbimit publik dhe nëpunësit administrativ-teknik dhe mbështetës, bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.