Liderët perëndimorë në Kiev për ta mbështetur Ukrainën në dyvjetorin e luftës

Katër liderë perëndimorë mbërritën në Kiev të shtunën për ta shfaqur mbështetjen e tyre për Ukrainën në ditën e dyvjetorit të pushtimit të saj nga Rusia, i cili u ka kushtuar me jetë dhjetëra mijëra njerëzve dhe e ka shkatërruar ekonominë e vendit.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës , Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Qëllimi i pranisë së tyre në Ukrainë është të theksohet përkushtimi i Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën, e cila është duke vuajtur nga mungesa në rritje e furnizimit ushtarak, gjë që është duke pasur ndikimin në fushëbetejë, ku Moska po arrin të fitojë territor.

Von der Leyen shkroi në rrjetin social X se ajo shkoi në Kiev “për ta festuar qëndresën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas”.

“Më shumë se kurrë më parë, ne qëndrojnë fuqishëm pranë Ukrainës. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht, moralisht. Derisa ky vend të jetë i lirë përfundimisht”, shtoi ajo.

Meloni dhe Trudeau pritet të nënshkruajnë pakte të sigurisë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër në Kiev, në përputhje me marrëveshjet e arritura së fundmi me Francën dhe Gjermaninë, të cilat kapin vlerën e miliarda dollarëve.

Megjithatë, pakoja me ndihmë prej 61 miliardë dollarë nga presidenti amerikan, Joe Biden, është duke u bllokuar nga republikanët në Kongresin amerikan, duke i zbehur shpresat e Kievit për ta zmbrapsur një ushtri ruse shumë më të madhe, më të mirë dhe të furnizuar më mirë.

Biden pritet të marrë pjesë në një videokonferencë me liderët e tjerë të grupit të demokracive të mëdha, G7, të shtunën.

Kur tanket dhe këmbësoria ruse u futën matanë kufirit para agimit më 24 shkurt 2022, 40 milionë banorët e Ukrainës i tejkaluan pritjet – si dhe planin më të mirë të Kremlinit – duke u mbajtur fort dhe duke e shmangur disfatën që shumë njerëz e prisnin.

Para mbërritjes në Ukrainë, Trudeau shkroi në X se Kanadaja dhe aleatët “i dërgojnë mesazh të qartë [Rusisë]: Ukraina nuk do të mposhtet në luftën e jashtëligjshme të Putinit”./ REL