Konferenca e Lëvizjes FOL Foto: KALLXO.com

Lëvizja FOL: Qeveria realizoi 17% të planit qeverisës

Nga monitorimi i 15 ministrive, përfshirë edhe zyrën e kryeministrit, nga 311 aktivitete vetëm 17% prej tyre janë realizuar ndërsa 73% prej tyre janë në proces.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të Lëvizjes FOL në bashkëpunim me Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ku u prezantua niveli i përmbushjes së Planit të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën mars-shtator 2021.

Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL tha se në total të aktivitetet nëpër 15 ministri kanë qenë 311 aktivitete me u përfunduar deri në fund të shtatorit.

“E vetmja ministri që i ka realizuar të gjitha aktivitetet është Ministria e Mbrojtjes me 100%, kurse ministria për Kthim nuk ka paraparë aktivitete për këtë periudhë” theksoi ai.

Sipas raportit të prezantuar, ministria e Punëve të Jashtme, ka paraparë 31 aktivitete për këtë periudhë. FOL ka gjetur se nga këto 5 janë realizuar, 4 prej tyre jo dhe të tjerat janë në proces.

“Në Ministrinë e Drejtësisë janë realizuar 14 aktivitete, 53.8% e aktiviteteve janë realizuar”, shtoi Hoxha.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Dumolli Nimani, tha se zyra e kryeministri nuk ka kthyer përgjigje me kohë.

“Janë dërguar 1 orë para se të filloi konferenca, dhe është e pamundur. Kemi kërkuar që secili aktivitet ta ketë një afat të caktuar të tij, ka kaluar një proces shumë i gjatë derisa i kemi parë këto plane të punës”, tha ajo.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe zyrtar të ministrive.

Misin Kamberi nga ministria e Zhvillimit Rajonal, tha se është dashtë që të dihet se sa për qind e atyre që janë në proces janë realizuar për të pasur një pasqyrë më të saktë.