Gazetarët e KALLXO.com shpërblehen me çmime në fushën e prokurimit nga Lëvizja Fol

Egzon Dahsyla dhe Valon Fana, gazetarë të KALLXO.com janë shpërblyer me çmime nga Lëvizja Fol në fushën e prokurimit.

Gazetarët e KALLXO.com, Egzon Dahsyla dhe Valon Fana

Fana ka fituar çmimin e parë me hulumtimin ‘Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban’.

Ky hulumtim tregon se si ishte kurdisur tenderi për blerjen indirekte të veturës personale të ish-kryesuesit me një çmim dyfishë më të lartë se sa çmimi i tregut.

“Sot jam shumë i lumtur për punën, nuk është i lehtë raportimi për prokurimin publik por është shumë kënaqësi kur arrin të identifikon keqpërdorimet në këtë fushë. Pas hulumtimit që ne e kemi bë janë arrestuar tre persona, është një rast i rrallë kur persona të kategorisë së tillë arrestohen pas një hulumtimi gazetaresk”, tha Fana gjatë ceremonisë.

Ndërsa, Egzon Dahsyla u shpërblye me vendin e tretë më hulumtimin, ‘Komunës së Gjakovës nuk i mjaftuan 460 mijë euro për pastrimin e një deponie’.

Gazetarja, Alberta Hashani fitoi çmimin e dytë nga Lëvizja Fol në fushën e prokurimit.