Qeveria realizoi vetëm 47.6% të planit të punës gjatë periudhës janar-qershor

Nga 2,063 aktivitete të parapara në kornizën e planit të punës janar-qershor 2022, Qeveria e Kosovës ka realizuar 983, apo  vetëm 47.6%.

Kështu ka thënë Lëvizja FOL, e cila ka monitoruar planin vjetor të Qeverisë.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, shpalosi numrin e aktiviteteve dhe përqindjen e punës së kryer nga ministritë.

Sipas saj, e vetmja ministri e cila nuk i është përgjigjur pyetësorit është Ministria e Mbrojtjes, prandaj për të nuk është nxjerrë përqindja e aktiviteteve.

“Ministria e Mbrojtjes kishte paraparë 14 aktivitete por meqenëse nuk është përgjigjur pyetësorit nuk dihet nëse I ka realizuar ose jo”- tha Nimani.

Zyra e Kryeministrit ka përfunduar vetëm 46% të planit. Përqindjen më të madhe të realizimit të punës e ka kryer Ministria e Zhvillimit Rajonal me 95%, pastaj Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal 86.%, Ministria e Ekonomisë 77%,  Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural 76.7%,  ndërsa përqindjen më të vogël të përfundimit të planeve të parapara e ka pasur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  me 22.3%.

Numrin më të lartë të realizimit të aktivitete e ka arritur Ministria e Kthimit për Komunitete nga 8 aktivitete ka realizuar 7.

“Ministritë që kanë paraparë numrin më të madh të aktiviteteve janë Ministria e Kulturës dhe Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përderisa Ministria për Kthim dhe Komunitete ka planifikuar 8 aktivitete prej të cilave ka realizuar 7, që I bie përqindja e realizimit të dalë më e madhe  në krahasim me ministritë e lartpërmendura të cilat për shkak të numrit të madh të aktiviteteve të parapara nuk kanë realizuar shumë prej tyre”- bëri të ditur Nimani.

Ministria Financave Punës dhe Transfereve 63.5%, Ministria e Drejtësisë 56.4%,  Ministria e  Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit 58.3%, Ministria e Punëve të Brendshme 53,9%, Ministria e Ndërmarrësisë dhe Tregtisë 51.2%, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 50.6%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës 42.9%, Ministria e Shëndetësisë 36.8%.