Labinot Leposhtica - KALLXO.com

Leposhtica: Komunat nuk kanë arritur ta kuptojnë rolin e tyre në parandalimin e terrorizmit

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet lidhur me planet për parandalimin e terrorizmit në Kosovë.

Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN-it ka thënë se planet për parandalim të terrorizmit dhe ekstremizmit nuk janë ndër prioritetet e komunave.

Leposhtica ka thënë se bazuar në një hulumtim të bërë nga KALLXO.com lidhur me ketë rezulton se komunat nuk kanë arritur ta kuptojnë rolin dhe rëndësinë e tyre në parandalimin e terrorizmit.

“Konsideroj që aktivitete ka edhe në kulturë, rini dhe sport por për 30 komuna të përfshira në ketë hulumtim, rezulton që janë në vetëm shtatë komuna, dhe këto aktivitete kulturore apo sportive apo mjetet financiare të ndara për organizata të nivelit lokal apo Këshillit të veprimit rinor dhe lokal ka munguar ndërlidhja e përmbajtjes së aktivitetit me temën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm” – ka thënë ai.

Sipas tij, komunat nuk kanë arritur ta kuptojnë rolin e tyre sidomos në drejtim të identifikimit të hershëm.

Ai ka shtuar se nuk duhet harruar që kjo temë ka qenë ndër temat kryesore që e ka bërë Kosovën lajm edhe në mediat ndërkombëtare.

Leposhtica ka shtuar se edhe organizatave që janë marrë me këto çështje u ka munguar komunikimi me komunën.

“Në ato raste kur komunat na janë përgjigjur pozitivisht se kanë realizuar aktivitete të tilla u ka munguar një metodologji, si e kanë targetuar masën për t’ju ofruar një aktivitet të tillë. Kanë realizuar aktivitete ad-hoc të cilat në esencë nuk është se kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë” – ka thënë tutje Leposhtica në “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se kryetarët e komunave duhet ta kenë parasysh që përpos investimeve në strukturën bazike, ka edhe çështje tjera shumë të rëndësishme siç është siguria publike.

Leposhtica ka shpjeguar se Kosova aktualisht i ka dy strategji, njëra është Strategjia kombëtare kundër terrorizimit që është ende aktive, dhe tjetra është Strategjia për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm e cila ka skaduar.

“Krejt këto strategji e kanë një të përbashkët, dhe në veçanti ky dokumenti që është në fazën e draftimit që parasheh që aktivitetet sidomos në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm tash me shku në formë të decentralizimit” – ka shtuar ai.