Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

LDK në Gjilan: Ekzekutivi i komunës po mundohet ta dështoj Kuvendin Komunal

Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Gjilan ka akuzuar ekzekutivin e kësaj komune për “dështim të Kuvendit komunal”.

Sipas kësaj partie, ekzekutivi i Gjilanit “po mundohet në çdo formë që të mos e lejojë transmetimin medial, duke tentuar ta ngulfasë kritikën dhe fjalën e këshilltarëve të zgjedhur”.

Përmes një komunikate për media LDK-ja ka thënë se ekzekutivit të Gjilanit po i pengon që Kuvendi Komunal është shpallur si më aktivi e prokuktivi në Kosovë.

“Ekzekutivi i Gjilanit e ka degraduar Komunën në atë shkallë sa që në matjet e fundit, Instituti Demokratik të Kosovës (KDI) e ka ranguar komunën si më jotransparenten në Kosovë. Ndërsa, në vlerësimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Gjilanit rangohet po ashtu në fund të pusit me performancë, madje më poshtë se Ranillugu e Parteshi”, – thuhet në reagimin e kësaj partie.

“Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndjen keqardhje me këtë mospërfillje që u bëhet asamblistëve të zgjedhur nga populli me votë demokratike. Ekzekutivi i Gjilanit e ka për obligim që ta sigurojë transmetimin medial i cili ka qenë praktikë 20-vjeçare dhe model për Kosovën”, – thuhet tutje në reagim.