LDK i kërkon qeverisë gjetjen e menjëhershme të zgjidhjes për fillimin e mësimit

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konferencë për media ka kërkuar nga qeveria që të gjejë një zgjidhje të menjëhershme për fillimin mësimit.

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu mbajti përgjegjëse qeverinë për moszhvillimin e procesit mësimor, për sic tha ajo, 318 mijë nxënës.

“Mosgatishmëria për një dialogim ka sjellë një paralizim në gjithë sistemin arsimor të Kosovës.” – tha ajo.

Sipas saj, qeveria e Kosovës në vend se të dialogojë me sindikalistët, ka krijuar një situatë polarizimi shoqëror të skajshëm te qytetarët, të cilët janë humbës në këtë gjendje.

Ajo shtoi se përmes arrogancës, qeveria ka vënë në sfidë qytetarët për tu pozicionuar për ose kundër grevës, derisa shtonës kjo grevë ka ndikim të madh te prindërit dhe familjet duke shkaktuar dëme të pariparueshme, ndër to edhe dëme ekonomike.

“Prindërit kanë krizë në kuptimin e menaxhimit ekonomik të familjeve të tyre, ata po hasin edhe vështirësi në menaxhimin e fëmijëve, për shkak se shkolla nuk ka filluar mësimin dhe ata rrezikojnë të humbin punët e tyre” – tha Lushaku – Sadriu.

Ndër të tjera, ajo tha se pas bllokadës së mësimit gjatë pandemisë po hasim në një bllokadë të re.

Ajo e quajti paradoksale mosndjeshmërinë e Qeverisë ndaj qytetarëve edhe në shpërndarjen e buxhetit në një kohë krize ndaj kategorive të caktuara, në këtë rast të mësimdhënësve dhe shërbyesve publikë.