LDK fton institucionet e Kosovës për koordinim të ngushtë me ShBA-në dhe aleatët evropianë

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ftuar qytetarët në veri për qetësi ndërsa institucionet e Republikës së Kosovës për koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë evropianë.

Ky reagim i LDK-së vjen pas vendimit që serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.

Sipas LDK-së, në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë dhe që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë.

LDK ka thënë se Politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate dhe regres në arenën ndërkombëtare.

“Moskoordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë nga institucionet e Republikës së Kosovës, i nxitë dhe shërben agjendat destabilizuese e provokuese në territorin e Kosovës. Pasojat e një destabilizimi të tillë janë të pariparueshme për vendin” – thuhet në reagimin e kësaj partie.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur sot për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Në veri të vendit, disa zyrtarë policor të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje duke e dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës.

Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës do të dorëzojnë uniformat e tyre, duke shënuar kështu bojkot pas masave të ndërmarra në takimin e sotëm me Listën Serbe.

KALLXO.com ka mësuar se fillimisht sot komandantët e stacioneve policore në katër komunat në veri të Kosovës, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) do të dorëzojnë uniformat e tyre nëpër stacionet ku punojnë.

Pas komandantëve tutje siç mëson KALLXO.com të gjithë zyrtarët policorë të njësive të ndryshme të cilët funksionojnë në veri të vendit, do të dorëzojnë uniformat e tyre në shenjë pakënaqësie pas suspendimit të drejtorit rajonal Nenad Gjuriq.

Serbët bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, policët zhveshin uniformat – FOTO