Foto: ZKM

LDK deklarohet për ftesën e Kurtit për takim

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti në një përgjgje për KALLXO.com ka deklaruar se vlerëson se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, duke folur lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që u ka bërë partive politike për të hënën, lidhur me situatën me COVID-19.

“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy herë radhazi e shkel Kushtetutë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ish-zëvendëskryeministri Hoti ka shtuar se masat për kufizim të lëvizjes nga ana e qeverisë në detyrë, janë marrë pa u konsultuar me askënd.
“Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa në kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, është përgjigjur ai.

Sipas Hotit, plot vendime të qeverisë imponoheshin nga Kurti pa asnjë konsultim paraprak, “duke i kthyer ministrat në makineri votimi”.

“Pa humor, por është fakt se disa herë më parë kanë ardhur ministrat në takimin e qeverisë e mandej iu është shpërndarë agjenda e takimit. Prandaj, edhe kjo tryezë që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, siç u pa në 52 dite të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që quan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK dhe shkarkimin e tij”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Tani, Hoti ka shtuar se “në vend që ai [Kurti] vet të kërkojë që sa më parë të dorëzojë detyrën, pasi 82 deputetë ia kanë hequr besimin që të qeverisë me vendin, ai bënë lloj lloj maniverzime procedurale për të qëndruar në pushtet”. Prandaj, sipas Hotit, duhet të themelohet sa më parë një Qeveri e re që nuk e shkel Kushtetutën.

“Që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik, që ndërton konsensus shoqëror, që bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe në veçanti me miqtë ndërkombetarë, për të tejkaluar krizën me pandeminë dhe për të rimëkëmbur ekonominë”, thuhet në përgjigjen e tij.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mbrëmë ka thënë se ka kërkuar që të hënën të ketë takim me presidentin dhe krerët e partive politike në Kosovë, për të diskutuar për situatën e pandemisë COVID-19.

“I kam dërguar letër presidentit dhe të gjithë krerëve të partive për një takim të hënën ne ora 10:00 lidhur me pandeminë se çka do të mund të bënim bashkë për të dalë nga kriza”, tha Kurti në RTV Dukagjini.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidentit, për të pyetur nëse presidenti Thaçi do t’i përgjigjet kësaj ftese, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot ka deklaruar se “me kënaqësi” e refuzon ftesën e Kurtit, duke e quajtur  atë politikan jo serioz dhe mashtrues.