Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak takon opozitën në Kosovë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, ka zhvilluar takime me kryetarët dhe përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë që përveç njohjen nga Serbia ia siguron edhe ulësen ne OKB.

“Marrëveshja që i siguron Kosovës njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB, e cila nuk cenon në asnjë drejtim shtyllat e shtetësisë, funksionalitetit dhe integritetit të Republikës tonë, si dhe që është në koordinim me partnerët tanë strategjik SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, do ta ketë përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgjegjësi të sillet me seriozitet në këtë proces dhe të ketë transparencë të plotë, në mënyrë që të ruhet fokusi themelor dhe të mos devijohet qëllimi kryesor me tema periferike e inekzistente, ngase synimet tona nga dialogu janë të qarta dhe në funksion të agjendës shtetërore, jo asaj politik”, ka thënë Krasniqi.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se gjatë takimit ka theksuar çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Temë e diskutimit ishte procesi i dialogut Kosovë – Serbi, me ç’rast kryetari Abdixhiku e ritheksoi qëndrimin e LDK-së që dialogu të përfundojë me marrëveshje përfundimtare e cila do të qojë në njohjen e ndërsjellë të të dy vendeve, duke respektuar kufijtë aktual dhe rregullin kushtetues, si dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore”, bëjnë të ditur nga LDK-ja.

Edhe për shefin e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri temë diskutimi me Lajçak ishte rëndësia e njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Në takim me Miroslav Lajçak, të deleguarin e BE-së për dialogun, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, prezantova disa qëndrime. Fillimisht theksova se njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqe edhe integrim evropian. Dialogu nuk ka alternativë sikurse, që nuk ka kuptim stërzgjatja e procesit pa rezultate të qarta që çojnë drejt njohjes. Futja e dialogut, në tema sikurse ajo e arkivave të UÇK-së është gabim. Kërkova që për këtë temë të ketë sqarim të saktë dhe mos të lejohet manipulim në diskurs publik”, ka shkruar Tahiri në facebook.