Foto: Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

Lajçak takime zyrtare në Itali, në fokus puna për dialogun

Edhe pse nuk dihet nëse do i zgjatet mandati Përfaqësuesit special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sidoqoftë ai ka paralajmëruar që në muajt e ardhshëm do të punohet për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Këtë postim Lajçak e ka bërë në rrjetin social “X” pas takimit me Këshilltarin Diplomatik të kryeministres italiane Giorgia Meloni, Fabrizio Saggio dhe Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të Punëve të Jashtme të Italisë Carlo Lo Cascio.

Lajçak do të qëndrojë në krye të procesit të dialogut Kosovë – Serbi si përfaqësues i BE-së, deri më 31.08.2024. 

Emërimi i Mirsollav Lajçakut në prill të vitit 2020, ngjalli reagime të shumta në Kosovë. Gjithçka nisi pas një deklaratë të ish presidentit Hashim Thaci, i cili në atë kohë refuzoi të merrte pjesë në negociatat e udhëhequra nga përfaqësuesi special i ri i BE-së.

Thaçi pati deklaruar se “misioni i Lajçakut është i paracaktuar të dështojë”, për shkak të angazhimit të tij si ish-ministër i Jashtëm sllovak.

Ndonëse jo prej fillimit, gjatë rrugëtimit të tij si kryeministër edhe Albin Kurti ka shprehur pakënaqësi për punën e Lajçakut në procesin e dialogut.

Në shtator të vitit 2023, Kurti në një konferencë për media e akuzoi Lajçakun se ishin koordinuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për zbatimin gjysmak të Marrëveshjes së Ohrit. Qëndrimin e Lajçakut, Kurti e quajti edhe goditje ndaj Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes në veçanti. Ata kanë shkuar shumë larg me goditje ndaj Kosovës. Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike ose nuk do zbatojmë ato që do Serbia” – tha ai.

Takimi i tetë dhe i fundit deri më tani në kuadër të dialogut, u mbajt më 14.09.2023.

Kurti deklaroi se në këtë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, të 18 marsit 2023.

Ai tha se takimi nuk ka pasur rezultat pasi pala serbe nuk ka pasur ndonjë propozim por ka paraqitur një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që sipas Kurtit është kushtëzim i Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni e më pas zbatimi i marrëveshjeve tjera.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Që nga viti 2021, procesi i dialogut nga Kosova udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Palët, përgjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Lajçak, mes besimit dhe kritikave në misionin e papërfunduar në dialogun Kosovë – Serbi