Lajçak sot në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pret në takim sot, më 05.03.2024, emisarin e Bashkimit Evorpian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi pritet të diskutoj me Lajçak, për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila u dakordua mes palëve më 27.02.2023.

Kosova dhe Serbia më 27.02.2023 në Bruksel ishin dakorduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve me 11 nene, që në publik njihej si Plani franko-gjerman. Ndërkaq më 18.03.2023 në Ohër u dakorduan edhe për aneksin e zbatimit të saj.

Kjo marrëveshje, e njohur me emrin tjetër si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe gjithashtu mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore.

Edhe pse si i tillë dokumenti nuk është nënshkruar nga palët, unioni evropian vazhdimisht ka ri-përsëritur se marrëveshja është detyrim për palët.

Vizita e Lajçak vie një javë pasi ai u takua me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, më 27.02.2024 në Bruskel, për të diskutuar për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron si valutë të vetme në vend.

Kosova në këtë raund bisedimesh u përfaqësua nga guvernatori Ahmet Ismaili. Pas takimit BQK përmes një komunikate për media tha se delegacioni ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Sipas BQK-së, autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë ishin ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb.

Ndërkaq, Lajçak pas këtij takimi ka thënë se mirëpret angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme dhe se sipas tij, shumë pyetje politike mbetën pa përgjigje, për të cilat, ai tha se nevojiten takime shtesë.

Takimin në Bruksel e kishte refuzuar kryenegociatori Bislimi, i cili pati deklaruar se Lajçak me këtë ftesë “ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë”, dhe se sipas zëvendëskryeministrit, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.