Foto: BQK

Lajçak: Takimi i sotëm i dialogut ishte hap i rëndësishëm, shumë pyetje politike mbetën pa përgjigje

Emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, është deklaruar në lidhje me takimet që ka zhvilluar me përfaqësues nga Kosova dhe Serbia, për të diskutuar për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.

Lajçak thotë se mirëpret angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Ai thekson se takimi i dialogut ishte një hap i rëndësishëm, por që sipas tij shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje dhe se nevojiten takime shtesë.

“Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”- ka shkruar Lajçak në platformën X më 27.02.2024.

Në këtë takim nga pala kosovare prezent kanë qenë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili; Dardan Fusha, zëvendësguvernator për Operacione Bankare; Jeton Bajramaj, udhëheqës i Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare dhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.

BQK përmes një komunikatë për media, thotë se gjatë këtij takimi, delegacioni i lartë i ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Sipas BQK-së, autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja.

“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”- thuhet në komunikatë.

Në komunikatë bëhet e ditur se BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.

Gjithashtu, BQK me sugjerim të BE-së, kanë zhvilluar takim edhe me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar ftesën për të shkuar në Bruksel, pasi nuk ishte që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.

 

BQK deklarohet pas takimeve në Bruksel për dinarin: U ngritën disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët serbë