Lajçak për sulmin terrorist në Banjskë: BE nuk i udhëheq hetimet, po marrim informacione nga vendet anëtare dhe partnerët

Emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti është deklaruar në lidhje me hetimet për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Lajçak tha se sulmi i Banjskës diskutohet gjithmonë dhe në të gjitha takimet që kur ka ndodhur, duke theksuar se është ngritur si çështje edhe dje në Beograd.

“Sulmi i Banjskës diskutohet gjithmonë dhe në të gjitha takimet që kur ka ndodhur. Po sigurisht që ne gjithashtu e ngritëm [si çështje] në Beograd, sepse sigurisht që publiku europian dhe vendet anëtare të BE-së janë duke pritur të nxirren pasojat e që personat e përfshirë të mbahen përgjegjës”- tha Lajçak.

Ai u shpreh se BE-ja nuk po e udhëheq hetimin porse po marrin informacione nga vendet anëtare dhe partnerët.

“Sa i përket hetimit, unë nuk jam adresa e duhur, sepse BE nuk po e udhëheq këtë hetim, ka vende individuale që kanë bërë ose po vazhdojnë të bëjnë hetimet, prandaj kjo duhet të vijë nga ata që po e bëjnë. BE-ja nuk po heton, ne po marrim informacione nga vendet anëtare dhe partnerët”- tha Laçak.

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Në kundërpërgjigjen e Policisë, disa terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.

Katër muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Millan Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.