Lajçak: Është koha për tu ripërqendruar plotësisht në hapat e ardhshëm në dialog

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në një postim në Facebook ka përmbledhur takimet që ka zhvilluar gjatë Forumit Ekonomik Botëror që u mbajt këtë javë në Davos të Zvicrës.

Lajçak thotë se në këtë forum është diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor dhe mundësinë e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkim Evropian.

“Forumi i këtij viti u përqendrua rreth temës së rindërtimit të besimit. Gjatë dialogut tradicional të diplomacisë në Ballkanin Perëndimor, ne diskutuam pritshmëritë dhe prioritetet në rajon dhe në Bashkimin Evropian në lidhje me zgjerimin. Duke shërbyer si bashkë-moderator, ndava vëzhgimin tim se megjithëse ka një entuziazëm të dukshëm nga partnerët lindorë, ai përballet me skepticizëm nga Ballkani Perëndimor”- ka shkruar Lajçak.

Ai thekson se momenti aktual për zgjerim është real.

“Momenti aktual për zgjerim është real, por siç e dimë mirë, në politikë, një momentum nuk zgjat kurrë përgjithmonë. Prandaj, pyetja kryesore tani është nëse do të jemi në gjendje ta transformojmë këtë momentum në një cilësi të re të zgjerimit apo nëse do të humbasë fare”- ka thënë Lajçak.

Lajçak shton se tani është koha për ripërqëndrim të plotë në hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë – Serbi.

“Si gjithmonë, Davos u tregua një platformë e paçmuar për t’u lidhur me miqtë, kolegët, partnerët dhe liderët nga rajoni dhe më gjerë. Diskutimet tona mbuluan një spektër zhvillimesh të rëndësishme të parashikuara këtë vit, si brenda Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në skenën globale. Por pas një jave magjepsëse të zhytur në perspektiva të ndryshme brenda “flluskave” globale të mendjeve, tani është koha për tu ripërqendruar plotësisht në hapat e ardhshëm në dialog”- thuhet në postimin e Lajçak.