Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, seanca shtyhet për të enjten

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të enjten vazhdimin e seancës plenare.

Kjo ndodhi pas që deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK lëshuan sallën pasi Kuvendi nuk arriti të formojë Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi që punimet e kësaj seance do të vazhdojnë të enjten me fillim nga ora 10:00.

“Kuorum nuk kemi për të vazhduar kështu që po them që ta vazhdojmë këtë seancë për ditën e enjte në ora 10:00”, tha ai.

Përveç formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike, në rend dite për sot ishin edhe disa pika tjera, ndër to edhe shqyrtimi i Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, shqyrtimi i Projektligjit për Pronën Publike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile etj.

Nuk formohet komisioni hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike, opozita lëshon sallën e Kuvendit