Kuvendi ia vazhdon mandatin dhe buxhetin shtesë Komisionit Hetimor për hidrocentralet

Eliza Hoxha, deputete e PDK-së, ka parashtruar një kërkesë urgjente për vazhdimin e mandatit edhe për tre muaj dhe buxhetin shtesë të Komisionit Hetimor mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar këtë kërkesë me 65 vota për.

“Ne e kemi me urgjencë miratimin e buxhetit shtesë për 3 mujorin e dytë për zgjatjen e mandatit, sepse me 14 dhjetor i kalon afati zyrtar këtij komisioni. Kisha dashtë që në paketë të votojmë shtyrjen e afatit prej tre muaj dhe buxhetin shtesë që është në vlerë prej 7 mijë e 470 euro për tre mujorshin e ardhshëm”, tha ajo.

Ndërsa nuk kishte kuorum për t`u votuar rezoluta e Mimoza Kusari- Lila nga Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Në këtë votim morën pjesë vetëm 21 deputetë.

Në seancë nuk ka pasur kuorum as për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftime, në këtë votim kanë marr pjesë vetëm 32 deputetë.