Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kushtetuesja kthen në rigjykim rastin e gruas që akuzohet se burrit ia kishte prerë kokën me sëpatë
Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në rigjykim rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës, e cila është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e burrit të saj.
Sipas njoftimit, parashtruesja e kërkesës në procedurat para gjykatave të rregullta nuk e kishte kontestuar aktin për të cilin akuzohej.
Vendimi i Kushtetueses thotë se gjatë zhvillimit të procedurës penale ndaj saj, ajo në vazhdimësi kishte kërkuar ekzaminimin përkatës psikiatrik, ballafaqimin me dëshmitarët dhe dëshmitë e të cilëve ishin marrë nga autoritetet franceze, por të cilat gjatë zhvillimit të procedurës penale vetëm ishin lexuar gjatë shqyrtimit kryesor dhe e njëjta nuk kishte pasur mundësinë t’i ballafaqojë në asnjë fazë të procedurës penale.
Aktgjykimi shtjellon parimet dhe standardet e aplikueshme, përfshirë përmes instrumenteve ndërkombëtare, në rastet në të cilat të miturit dëshmojnë në procese gjyqësore.
Gjykata vuri theksin në faktin që të gjitha autoritetet publike, duke përfshirë edhe gjykatat, kanë për detyrim mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijës në procedurë penale dhe se në rrethanat e rastit konkret, gjykatat kishin dështuar të përmbushnin këtë detyrim.
Duke marrë parasysh faktin që i mituri X.X. ishte dëshmitari i vetëm okular në rrethanat e rastit konkret, në një kontekst në të cilin dëshmonte në një rast penal lidhur me vrasjen e babait të tij, vepër për të cilën akuzohej nëna e tij, ai ishte marrë në pyetje pa mbështetje profesionale, përkatësisht pa praninë e psikologut dhe/ose profesionistit adekuat.
Gjykata theksoi se në kuptim të obligimeve pozitive të përcaktuara me Kushtetutë dhe me instrumentet ndërkombëtare, përfshirë edhe praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë konsiderata e parë dhe më e rëndësishme për të gjitha autoritetet publike, përfshirë sistemin e drejtësisë.
“Bazuar në të lartcekurat, Gjykata Kushtetuese konstatoi që aktgjykimi i 28 prillit 2021 i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me aktgjykimin e 3 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe aktgjykimin e 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur më këtë çështje nuk janë në përputhshmëri me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të drejtën për një proces të rregullt të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut’’ – thuhet në njoftim.
Si pasojë, Gjykata Kushtetuese ktheu çështjen përkatëse penale në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Më 20 maj 2021, kolegji i Gjykatës Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtëses së të dënuarës Suzana Zogiani-Sekiraqa, e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Prishtinës të datës 17 dhjetor 2019 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 3 korrik 2020, për vrasje të rëndë.
Zogiani-Sekiraqa më 17 dhjetor 2019 ishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë, me ç’rast ishte dënuar me 25 vjet burgim. Në dënim i ishte llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim nga data 5 tetor 2018.
Sipas aktakuzës, më 21 nëntor 2018 rreth orës 8:30 në banesën e saj në qytetin Dole – Francë, ku ishin duke jetuar së bashku me të ndjerin, e pandehura Suzana Zogjani – Sekiraqa me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj.
Prokuroria pretendon se Zogiani-Sekiraqa e kishte kryer vrasjen, duke e goditur të ndjerin me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesën e sipërme të qafës si dhe në pjesën e poshtme të qafës.
Në aktakuzë përshkruhet se nga këto veprime të dhunshme viktimës i është prerë koka.
Kujtojmë se më 21 shkurt 2019, Zogiani-Sekiraqa ishte deklaruar e pafajshme.